Autorët e vrasjes së dy kushërinjve Jushi në Laç disa ditë më parë kanë rrëfyer arysen para hetuesve.
Viktimat dhe autorët ishin të njohur me njëri-tjetrin, dhe mësohet se debati në lokal ka nisur për një foto në rrjetet sociale.
“Nuk deshëm t’i vrasim kushërinjtë Jushi. Gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Debatuam për ‘Facebook’, pastaj u përleshëm dhe situata doli jashtë kontrollit. Nxora pistoletën për t’i trembur, po në gjaknxehtësi e sipër nisa të qëlloja. Nuk kisha për qëllim t’i vrisja”, ka thënë para Policisë 23- vjeçari, Markel Bushi.
Ndërkohë që ende nuk dihet se cili nga tre personat e ndodhur në vendngjarja ka qëlluar me armë ndaj dy kushërinjve, për këtë po analizohen gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.
Tre netë më parë dy kushërinjtë, Mikel dhe Joni Jushi u ekzekutuan me breshëri plumbash nga tre persona. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi (shkaku i sherrit) dhe personi tjetër i identifikuar si Vinçesk Bushi, me precedent penalë dhe kushëri i dy vëllezërve.
Pas një debati të nisur mes kushërinjve Jushi dhe Manuel Bushit, janë përfshirë edhe Markelit e Vinçesku. Konflikti ka agravuar dhe tre autorët kanë nxjerrë armët. Sapo kanë parë këtë gjë, viktimat kanë tentuar të largoheshin me vrap, por autorët i kanë ndjekur për rreth 100 metra Mikel dhe Erion Jushin duke i qëlluar me breshëri plumbash.
Autorët u vetëdorëzuan në polici ditën e djeshme pas negociateve që shefi i komisariatit të Kurbinit Erdit Rreçeku ka bërë me dajën e dy vëllezërve, duke i bindur ata që të dorëzohen dhe të përballen me drejtësinë.
Tashmë tre të rinjtë ndodhen në ambientet e komisariatit të Kurbinit në pritje për seancën e ditës së nesërme në Gjykatën e Kurbinit, ku edhe do të njihen me masën e sigurisë.


