Debati që qarkullon këto ditë përsa i përket sigurisë ushqimore dhe cilësisë së ushqimit është një debat i gjërë por që tek e fundit, i prek të gjithë.
Çfarë ushqimesh kemi, çdo ditë, në tryezat tona? Sa të sigurta janë ato? A kontrollohen mallrat e importit? Po produktet BIO, që blejmë nga fermerët? Përse frutat, zarzavatet dhe perimet, sot, nuk kanë atë shijen dhe aromën e viteve me parë? Këto janë bisedat më të zakonshme që hasim në shoqërinë shqiptare çdo ditë, ndërkohë që askush nuk ka një përgjigje konkrete, kur vjen puna tek siguria dhe cilësia.

Oriz me krimba
Rrugicat pranë tregjeve të kryeqytetit, por edhe qyteteve të tjera, gjatë orëve të para të ditës e deri në mesditë, janë të mbushura plot me tregtarë ambulantë të cilët shesin produkte të ndryshme, duke filluar nga qumështi, zarzavatet, perimet, vezët dhe bulmeti. Qese të mbushura me ullinj, spinaq, sallatë jeshile, bidonë me qumësht, djathë apo gjalpë, vezë, apo majdanoz , janë disa nga produktet e shumta të cilat mund ti gjesh, me lehtësi, në çdo rrugicë, pranë tregjeve në kryeqytet. Mendojmë se janë BIO, por në të vertetë edhe këtu nuk kemi siguri.
Kujtojmë këtu rastin e domateve të blera në treg, ku qytetari i tmerruar tregoi se pasi i bleu pa se ato ishin të krimbura. Domates i është hedhur një sasi e madhe hormonesh për rritje dhe pjekje, saqë filizat e mbirjes janë zhvilluar ne farat e brendshme të saj.
Por nuk mbaron vetëm me kaq. Ka plot raste kur një kos frutash i sapo blerë në market, i cili duket në rregull edhe nga data e skadimit, rezulton të jetë i mykur brenda. E jo vetëm. Qoftë edhe produkti që blemë më shpesh, siç është sallami që jo pak herë ka dalë i krimbur.
Megjithatë, këto ditë vihet re se produktet më delikate janë mishi dhe qumështi. Një studim i sapobërë i shoqatës Albanian Food Industry rezultoi në përfundime skandaloze mbi disa prej produkteve kryesore që konsumojmë.
15% e produkteve të kategorisë së mishit kishin një ngarkesë të lartë mikrobesh si dhe ngjyrues E120, përdorimi i të cilit e bën mishin të duket më i freskët.
Po kështu në qumësht (saktësisht në një produkt të tij dhe në një të kosit) është gjetur prania e aflatoksinës, një toksinë e rrezikshme që dëmton mëlçinë dhe bëhet shkaktare e zhvillimit të kancerit.
Edhe qumështi i fshatit është mjaft problematik, kjo sepse proçesi i mjeljes, transportimit apo ruajtjes është jashtë parametrave.
Ndërsa përsa i përket vajit të ullirit, 80% e vajrave që u analizuan rezultuan brenda normës. Pjesa tjetër, ndonëse tregtohej si e tillë, në fakt nuk kishte lidhje me vajin e ullirit.
Përgatiti: AlpeNews.al





