Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg ish komandon Erzen Uka, i arrestuar për nxitje terroriste.
Prokurori i çështjes, Eugen Beci ,kërkoi arrest me burg, ndërsa Uka nuk ka pranuar të ngrihet në këmbë para trupit gjykues, duke thënë se respekton vetëm Allahun.
Ai kërcënoi gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Beci, duke u thënë: Sa të dalë do të jepnin llogari dhe nuk do kalonte kollaj.
Uka akuzohet për 3 vepra penale, stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste, nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa gjykata u tërhoq për vendim.
Policia tha se është vënë në pranga Erzen Uka, 29 vjeç, nga fshati Gjorm i Krujës dhe banues në Tiranë. Ai është arrestuar nga oficerët e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, si person i dyshuar me prirje radikale dhe ka nxitur urrejtje me qëllim kryerjen e veprave terroriste.
Burimet thanë se 29- vjeçari kishte me shumë se dy vite që hetohej nga Krimet e Rënda. I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Në kanalin personal të tij në “YouTube”, ai ka postuar video, ku shihen dy djem të mitur duke u stërvitur.
VIDEOT
I dyshuari Erzen Uka ka qenë ushtarak në misione në Irak dhe Afganistan deri në vitin 2011 dhe përgjatë dy viteve hetim ai ka shfaqur pritje ekstremiste. Policia ka sekuestruar si prova materiale edhe disa video, që ai ka postuar në internet duke stërvitur djem të mitur. Në video shfaqen dy djem të mitur që po bëjnë ushtrime në shtëpi, ata janë duke u stërvitur nga i ati, që, sipas Policisë, kishte si qëllim për t’i dërguar ushtarë që t’i bashkohen ISIS.
Erzen Uka, që prezantohet në rrjetet sociale me emrin Hamzah Uka, është nën akuzë për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste si edhe propagandë me qëllime terroriste. Një prej videove të publikuara prej tij ka mesazhin “Myslimani është ushtar i Allahut dhe si i tillë duhet të përgatitet”. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Antiterrorit, thonë se ish-komando ka bërë publike në “Facebook” edhe flamujt e ISIS në vijim të përpjekjeve të tij për të bërë propagandë për organizatën terroriste.
I ARRESTUARI
I riu nga Gjormi i Krujës, që më herët ka qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan gjatë vitit 2011, aktualisht ishte i papunë. Prej vitesh ai ishte pikasur si person që shfaqte prirje radikale, ndërsa dy vitet e fundit po hetohej për çështje terrorizmi. I arrestuari, aktualisht ishte i divorcuar, ndërsa, sipas Policisë, pasi e shoqja e kishte denoncuar për dhunë në familje dhe më pas ishte ndarë me të, ai nuk e kishte lejuar që dy djemtë e tij t’i mbante e ëma, edhe pse Gjykata kishte urdhëruar dhënien e kujdestarisë të ëmës.
Përmbarimi kishte tentuar ta zgjidhte këtë çështje për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës, por kjo gjë nuk është realizuar, çka ka sjellë hetimin e tij, edhe për pengim të vendimit të Gjykatës. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se pas kontrolleve në banesën e tij u sekuestruan fishekë luftarakë, ndërsa gjatë masës së sigurisë, që do të mbahet të martën, do të referohen si prova edhe mbikëqyrjet e herëpashershme në rrjetet sociale.



