Ditën e sotme është arrestuar autori i cili i vuri flakën autobusit, një 22 vjeçar me inicialet SH.B., banues në Delvinë.
“Zbulohet ngjarja e djegies së autobuzit dy ditë më parë, vihet në pranga autori.
Në vijim të punën intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mesnatën e 10 Prillit në Konispol, për djegien me zjarr të autobuzit në pronësi të shtetases H.S, shërbimet e policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Sh.B., 22 vjeç, banues në Delvinë, i cili dyshohet të jetë autori në lidhje me djegien e qëllimshme të këtij mjeti.
Pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Delvinë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 25 fishekë luftarak dhe një sasi fara narkotike të dyshuara si cannabis sattiva.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
SARANDE – Një autobus është djegur në orët e vona të së martës në Konispol. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45. Bëhet fjalë për një autobus të linjës Konispol–Sarandë–Konispol, me pronar Sh.H. Mjeti ishte i parkuar në një nga rrugët kryesore të Konispolit, madje në vend të dukshëm dhe me ndriçim.
Një person, sipas pamjeve të siguruara nga kamera e një dyqani afër vendit ku ishte parkuar autobusi, i maskuar në fytyrë, i është afruar mjetit dhe pasi ka thyer xhamin në mes të autobusit 30-vendësh, ka hedhur brenda shishen dhe pastaj i ka vënë flakët. Autori nuk është mjaftuar me kaq, por ka hedhur një tjetër shishe poshtë autobusit, që po ashtu i ka vënë flakën.
Pasi është siguruar se mjeti është përfshirë nga flakët, është larguar. Ka qenë një banor i lagjes, ai që ka parë autobusin që digjej dhe ka njoftuar menjëherë Policinë. U mblodhën menjëherë banorë të lagjes, por nuk mundën të shuanin dot flakët që e përpinë autobusin në një kohë shumë të shkurtër, madje as nga zjarrfikësja. Policia e Sarandës ka shkuar në n vendngjarje dhe ka nisur hetimet.
Dyshohet që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm, ndërkohë pamjet e siguruara nga kamera e sigurisë janë shumë të qarta dhe do të shërbejnë qartë për hetimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Pronarë të autobusit, që kanë rreth 30 vjet që e bëjnë këtë linjë, shprehen të bindur se zjarri ka qenë i qëllimshëm, për konkurrencë, ndërsa kanë edhe persona, për të cilët dyshojnë, ndërsa i kanë dëshmuar edhe gjatë pyetjes në Polici. Sipas tyre, dëmi i shkaktuar është rreth 35 milionë lekë të vjetër.


