Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan të enjten për të shënuar 70 vjetorin e Aleancës në klimën e të çarave të krijuara midis vendeve anëtare për çështje të sigurisë dhe tregtisë.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo hapi takimin me një thirrje për unitet për t’u përballur me sfidat që vijnë nga Rusia, Kina dhe Irani. Ai përmendi faktin që NATO-ja arriti të frenojë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe tha se aleanca është e pozicionuar mirë për të ecur përpara, ndërsa përballet me sfida të reja dhe në ndryshim të vazhdueshëm.
Por mosmarrëveshja që po thellohet me Turqinë lidhur me blerjen e ploanifikuar prej saj të një sistemi rus të mbrojtjes ajrore dhe kërkesat e SHBA ndaj aleatëve, veçanërisht Gjermanisë, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, kërcënuan të errësonin punimet, megjithëse ministrat ranë dakord të ndërmarrin veprime për t’u përballur me agresivitetin në rritje të Rusisë dhe shkeljen prej saj të një marrëveshjeje të rëndësishme për kontrollin e armëve.
Ministrat ranë dakord mbi një paketë masash për të ndihmuar aspirantët e aleancës, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, veçanërisht me rritjen e bashkëpunimit detar në Detin e Zi, patrullimet dhe vizitat portuale, sipas shefit të NATO-s Jens Stoltenberg


