Këshilli i Ministrave miratoi sot masën e kompensimit financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale në disa qytete.
Përmes dy vendimeve të veçanta, qeveria përcaktoi sipërfaqet e kompensuara si dhe masën e kompensimit financiar dhe kriteret e përfitimit të saj.
Lidhur me kompensimin e pronave private të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Jug, Kamëz – Vorë, Tiranë Shtesat, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë Veri, vendimi parashikon që sipërfaqja e kompensuar është 14 621,33 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është rreth 107. 5 milionë lekë.
Ndërsa përmes një vendimi tjetër, qeveria vendosi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.
Sipërfaqja e kompensuar është 20 694,8 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është mbi 347, 3 milionë lekë.
Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet pa leje, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit.
Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale, që legalizohen.


