OSHEE ka nisur investimin për ndërtimin e kabinave ajrore dhe rrjetit të ri të tensionit të ulët, me vlerë 125 milionë lekë në Njësinë Administrative Mollas, Cërrik. Ndërhyrja me këtë projekt nga ana e OSHEE-së ishte e domosdoshme në kushtet e një rrjeti tejet të amortizuar, ndërtuar që në vitin 1967, i cili nuk garantonte më furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Kryeministri Edi Rama, së bashku me deputetin e Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla panë nga afër punimet që po kryhen nga OSHEE, të cilat pritet të përfundojnë brenda 3 muajve.
“Kjo është një zonë që i ka munguar energjia elektrike, pavarësisht se paguan rregullisht energjinë, por besoj me këtë investim që po sjell OSHEE-ja, tashmë do i qëndrojmë angazhimit që kemi marrë ndaj kësaj zone,” u shpreh deputeti Balla. “Investimi këtu është bërë që në 1967-ën dhe janë 125 milion lekë të reja që investon OSHEE-ja për rikonstruktimin e 20 kabinave dhe ndërtimin e 3 kabinave të reja ajrore, i gjithë sistemi ABC i tensionit të ulët. Përfshin njësinë administrative Mollas, Rrajcë, Papër dhe fshatrat përreth. Ky investim mbaron për 3 muaj,” u shpreh kreu i OSHEE-së, Ardian Çela. Nga ana tjetër ai shtoi se OSHEE po kryen edhe disa investime të tjera mjaft të rëndësishme për këtë qark.


