Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar ka kërkuar nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, që të ndërmarrin masa kundër siç ka thënë, “strukturave terroriste të organizatës Feto” që veprojnë në territorin e këtij vendi, e që sipas tij, po dëmtojnë “raportet mes dy vendeve, miqësinë dhe lidhjes vëllazërore”.
“I kemi emrat e disa prej personave kryesorë të organizatës terroriste dhe thellë jam i bindur se ditët e ardhshme institucionet e Maqedonisë së Veriut do të ndërmarrin masa konkrete lidhur me këtë. U besojmë institucioneve të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ministri turk i mbrojtjes, Akar pas takimit në Shkup me ministren e mbrojtjes të Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska.
Ministrja Sheqerinska ka pranuar se me homologun e saj turk, ka biseduar për shumë çështje, përfshirë edhe atë të ngritur nga ministri turk, por pa dhënë detaje, shkruan rel.
Ajo ka thënë se nuk beson se problemi i ngritur nga zyrtari turk do të ndikojë në ratifikimin e protokollit nga ana e Turqisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.


