Një borxh duket se ka qenë shkaku i grabitjes së kambistit Agron Shima paraditen e së premtes, në Tiranë.
Gjykata Penale vlerësoi këtë të hënë të ligjshëm arrestimin e Elvis Fatës, Elvis Berishës, Blenard Hoxhës dhe Xhoni Dibos, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.
Shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim, kanë grabitur me dhunë Agron Shimën, ndërsa planin e kishin thurur prej disa ditësh. Në seancën e zhvilluar dje, të pranishëm ishin të dyshuarit, të cilët nuk kanë dhënë shpjegime para Gjykatës, përveç Elvis Fatës, që mohoi dëshminë e dhënë më herët në Polici.
Nga ana tjetër, ka qenë prokurori Erjon Shqarri, i cili ka ngritur ndaj 4 të arrestuarve akuzën e ” Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe shpjegoi mënyrën sesi është kryer grabitja në qendër të kryeqytetit. Ka dyshime se këta persona janë autorë edhe të një tjetër grabitje, të ndodhur në Tiranë disa muaj më parë.
DËSHMIA
Ka qenë i arrestuari Elvis Tafa, i cili në dëshminë e dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ka pranuar grabitjen dhe ka pretenduar se ai dhe Xhoni Dido janë shtyrë nga dy personat e tjerë, Elvis Berisha dhe Blenard Hoxha, të cilëve i kishin edhe një borxh. 35-vjeçari Tafa u arrestua në flagrancë nga Policia Rrugore, ndërsa në Polici është shprehur se shoku i tij, Dido, e ka goditur me levë gjatë momentit që ishin duke u larguar me qesen me para, pasi kishte tentuar të devijonte Policinë.
Kështu, sipas Elvis Tafës, ai së bashku me Xhoni Didon, i dënuar edhe më parë për vjedhje, pasi e qëlluan Agron Shimën, i morën atij shumën monetare që kishte me vete. “Ditën e premten dola nga shtëpia në orën 05:00 të mëngjesit dhe shkova takova Xhoni Didon te Kthesa e Kamzës. Atje kemi ndërruar rrobat dhe me anë të një motori të Xhonit, kemi shkuar te 9-katëshet.
Disa ditë më parë, Xhoni më kishte treguar për vendin dhe personin që do grabisnim. Kur mbërritëm te vendi, kemi ndaluar motorin dhe kemi bërë sikur po i rregullonim gomën, kështu vëzhguam lëvizjet e kambistit. Pas 20 minutash, aty po kalonte kambisti me motorin e tij. Xhoni i ra me levë dhe ai u rrëzua nga motori. Pasi i mori lekët, hipëm në motor, të cilin e drejtoja unë dhe u drejtuam nga Rruga e Barrikadave.
Te kryqëzimi pashë një makinë Policie dhe desha të devijoj, por Xhoni me tha të ecja drejt. Meqë nuk iu binda, ai me qëlloi me levë dhe kam humbur ekuilibrin duke rënë nga motori. Ai u largua me lekët. Për të kryer vjedhjen, na kanë shtyrë Elvis Berisha dhe Blenard Hoxha, të cilëve u kishim borxhe dhe për t’i shlyer, bëmë grabitjen”. Por, ndërkohë që në Polici, i dyshuari Elvis Tafa kishte pranuar krimin dhe kishte treguar mënyrën sesi ndodhi grabitja, gjatë seancës së djeshme, ai mohoi çdo gjë. Para Gjykatës, Tafa pretendoi se dëshmia është marrë në kushtet e keqtrajtimit dhe se ai nuk mbante mend asgjë nga ato që u relatuan nga Prokurori.
Qëndrimi i tij u kundërshtua edhe nga vetë avokati mbrojtës, i cili u shpreh se deklarimet ishin dhënë nga Tafa në praninë e tij. Avokati shtoi se i arrestuari nuk është dhunuar në asnjë moment. Ndërkohë, mbrojtja e tre të arrestuarve të tjerë tha se të mbrojturit prej tyre nuk kishin lidhje me grabitjen dhe se ata nuk e njihnin fare Elvis Tafën. Por në fund të seancës, pasi dëgjoi relatimin e të dyja palëve, gjyqtari vendosi të caktojë “Arrest në burg” për 4 të dyshuarit, duke argumentuar ndër të tjera se vepra, për të cilën akuzohen, është e rëndë.
ARRESTIMI
Pas arrestimit të një prej grabitësve, Elvis Tafës, pak minuta pas ngjarjes, një ditë më vonë, Policia e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar edhe 3 persona të tjerë si bashkëpunëtorë të tij. Ka qenë dëshmia e 35-vjeçarit, që ka çuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe më pas në arrestimin e Xhoni Didos, Elvis Berishës dhe Blenard Hoxhës. Këta të fundit, sipas Prokurorisë, kanë shtyrë Didon dhe Tafën të kryenin grabitjen. “Komisariati i Policisë Nr.1, pas ngjarjes së ndodhur paraditen e së premtes në Rrugën e Barrikadave, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në vjedhjen me dhunë ndaj shtetasit Agron Shima.
Pas një pune intensive hetimore (krahas shtetasit E. F., 35 vjeç të kapur dhe të arrestuar që në momentin e vjedhjes falë ndërhyrjes në kohë të patrullës së Policisë Rrugore) në kuadër të operacionit policor të koduar ‘VALUTA’, u arrestuan dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë, shtetasit: E.B., 37 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për ‘Vjedhje’); B. H., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Xh.D., 23 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për ‘Vjedhje’, njoftoi Policia.



