Drogën e fortë e kishte fshehur në trup duke e lidhur me natriban dhe me shpresën se gjithçka do të shkonte mirë deri në mbërritjen në Itali.
Por nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar, dhe shtetasi i identifikuar nga policia si personi me inicialet E.D, u kap në vijën e dytë të kontrollit në portin e Durrësit.
Autoritetet kanë bërë publike detajet e operacionit të kryer këtë mbrëmje në Durrës, ku u kapën r2 kilogramë e 160 gramë heroinë. Madje policia ka publikuar dhe foton e personit, i cili e kishte fshehur në trup drogën.
Policia e Durrësit sqaron zyrtarisht se ka sekuestruar mbi 2 kg heroinë, e cila synohej të trafikohej në drejtim të Italisë
Deklarata e Policisë:
Policia Kufitare godet një tjetër tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të shtetasit E.D. i kanë gjetur në trup një sasi lënde narkotike me peshë rreth 2 kilogramë e 160 gramë, e dyshuar si heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vendngjarje ka mbërritur Grupi Hetimor, Specialistë të Njësisë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ku vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.



