Vrasës me pagesë janë personat që tetë ditë më parë ekzekutuan në Tiranë, poshtë shtëpisë së tij, 26-vjeçarin Jurgen Kurti, i njohur si biznesmen dhe menaxher i personazheve të njohur të show-bizzit. Tre persona që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e të riut në hyrje të pallatit ku i riu jetonte me nënën, u vunë në pranga sot nga Policia e Tiranës, si autorë të paguar për vrasjen. Një i katërt, dyshohet të ketë pasur rolin e koordinatorit. Burime thanë se autorët dyshohet të jenë paguar 30 mijë euro për ekzekutimin e Jurgen Kurtit. Ndërkohë nuk dihet ende se kush është personi/at që ka dashur kokën e Jurgen Kurtit. Pista kryesore e hetimeve: Hakmarrja.
***
Tetë ditë pas vrasjes së bujshme të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, policia e kryeqytetit ka arrestuar tre persona bashkëpunëtorë në vrasje, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim, emri i të cilit nuk bëhet publik për efekt të hetimeve. Ndërsa tre të arrestuarit janë ekzekutorë me pagesë dhe pjesëmarrës në krim, personi i kërkuar mësohet nga burime për Report Tv, se ka pasur rolin e koordinatorit. Nuk dihen ende emrat e personit/ave që kanë porositur vrasjen e Jurgen Kurtit.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, arrestuan Elsi Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos. Burime thonë se tre autorët e arrestuar janë vrasës me pagesë dhe se ekzekutimin e Kurtit e kanë bërë me porosi, për llogari të një personi tjetër. Të njëjtat burim thanë për gazetarin Arsen Rusta, se autorët e kanë ndjekur për më shumë se dy javë Jurgen Kurtin, ndërsa dyshohet që vrasësit me pagesë të kenë marrë 30 mijë euro për ekzekutimin e Kurtit. Të arrestuarit kanë refuzuar të tregojnë emrin e personit që ka porositur vrasjen.
Policia thotë se ka sekuestruar një pistoletë TT, fishekë luftarakë, një sasi të vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe 13 aparate celularë.
“Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë 3 të arrestuarit bashkë me një tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze”, thuhet në njoftimin zyrtar.


