Objektivi është i qartë, kualifikimi për në Zonën Champions, megjithatë, me vetëm një ndeshje për të përgatitur në javë, Interi është shumë më i privilegjuar në krahasim me kundërshtarë të tillë si Napoli, Juventus dhe Roma, që luajnë sistematikisht në kupat e evropës. Duke lënë mënjanë Kupën e Italisë, ky është një ndër rastet e pakta kur skuadra e Spaletit do të ketë ndeshje në mesjavë, gjithsesi kalendari deri në fillim të muajit dhjetor, përvec Sampin, i ofron Interit gjithashtu edhe kundërshtarë të lehtë në letër si Verona, Torino, Atalanta, Cagliari dhe Chievo. Problemi i vetëm për Spallettin mbetet Brozovic, ndërsa në krahun tjetër, klubi gjenovez ka befasuar jo pak me ecurinë e deritanishme, teksa pozicionohet në vendin e gjashtë. Ky është sezoni i dytë për trajnerin Marco Giampaolo në krye të klubit dorian dhe bën cudi fakti që Sampdoria ka humbur vetëm një nga tetë ndeshjet e luajtura, duke grumbulluar 17 pikë nga 24 të mundshmet, për më tepër, skuadra gjenoveze ka ende për të rikuperuar takimin e prapambetur me Romën. Derbi me Xhenoan është vetëm dhjetë ditë larg dhe dueli me Interin pritet të shërbejë si “provë gjenerale” për “blucerchiati”. Ndonëse e mbyllën edicionin e kaluar në mes të tabelës, me plot 14 pikë më pak, Sampdoria arriti t’i fitojë që të dy takimet e sezonit 2016-17 me ekipin e Interin. Ndeshja Inter – Sampdoria do të luhet në “San Siro”, në orën 20:45 dhe do të arbitrohet nga gjyqtari kryesor, Marco Guida.