Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern ka njoftuar se, brenda 10 ditëve, do të ndërmerren reforma të rëndësishme në ligjin e armëve, masë kjo e marrë pas sulmeve në dy xhami më 15 Mars, ku mbetën të vrarë 50 besimtarë myslimanë.
Në konferencën e saj për shtyp, Kryeministrja nuk dha detaje të hollësishme, por deklaroi se detajet e legjislacionit të ri do të njoftoheshin përpara mbledhjes së këshillit të ministrave të hënën e ardhshme.
“Brenda 10 ditëve pas këtij akti terrorist, ne do të njoftojmë reformat që besoj se do ta bëjnë komunitetin më të sigurt. Tani është momenti që ne duhet të veprojmë”, u shpreh Jacinda Ardern.
Kryeministrja njoftoi gjithashtu nisjen e një hetimi për sulmin ndaj xhamive, ku u regjistruan 50 të vdekur të premten në Christchurch. Shumë pikëpyetje ngrihen rreth të dyshuarit të sulmit makabër, një fashist i vetëshpallur, i cili nuk ishte pikasur as nga agjencitë e shërbimeve sekrete.


