Kastrioti arriti të dilte me një fitore me shumë vlera, nga sfida e javës së 25-të, në shtëpi ndaj Tiranës.
Takimi i zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku”, nisi me shumë nerva për bardheblutë, ku Ngo pas disa përplasjeve me futbollistët kundërshtarë, u ndëshkua me karton të verdhë, dhe Mema duke parë që nuk mund ta qetësonte, e nxori nga fusha që në çerek orën e parë.
Në minutën e 28-të, vendasit arritën të gjejnë golin e vetëm të sfidës, pas një penalltie skandaloze akorduar nga gjyqtari Olsi Sokoli, të shndërruar në gol nga Marku. Në fundin e pjesës së parë, ishte Doka që u rrëzua në zonën e Kastriotit, por për kryesorin Sokoli nuk kishte asgjë.
Në pjesën e dytë, fuqia sulmuese e ekipit të Tiranës ishte e dobët, dhe nuk mundi të kërcënonte portën e Çekrezit. Në një rast në minutën e 67-të, Imamit iu ndal nga Shehu brenda zone, një goditje e rrezikshme, ndërsa në të 80-tën, Tirana u ndal në shtyllë, pas një goditje të Halilit.
Deri në fund, Kastrioti arriti të mbante këtë fitore, dhe tashmë në vendin e parafundit, shkon në 24 pikë, ndërsa Tirana mbetet e shtata me 29 pikë.



