Sulmuesi kilian Alexis Sanchez mund të rikthehet në Serinë A, këtë herë për të veshur fanellën e Juventusit (më parë ka luajtur me Udinese). Lajmin e konfirmojnë mediat italiane (calciomercato), sipas së cilave kampionët e Italisë janë në kërkim të një sulmuesi në rast se largohet Paulo Dybala.
Sanchez nuk ka dhënë atë që pritej me fanellën e Manchester United dhe është pranë largimit nga Premier League. Bisedimet mes palëve kanë nisur, me bardhezinjtë që kanë nisur të marrin informacionet e para. “Djajtë” janë në kërkim të një skuadre ku të shesin lojtarin, që ka një pagë të lartë, 20 milionë euro në sezon.
Pagesa e lartë që ka Sanchez mund të bëhet pengesë për këtë transferim te Juventusi edhe pse mësohet se kiliani është gati të sakrifikojë pagën e tij për të shkuar në një ekip ku mund të luajë më shumë. Aventura në “Old Trafford” ka qenë një makth për Sanchez, që mezi pret të nisë një faqe të re të karrierës së tij.


