Hetimet për zbulimin e grupit të fajdexhinjve në Shkodër kanë nisur që prej janarit pas denoncimit të bërë nga ish-prefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani.
Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij, derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar.
Dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve anëtar në Këshillin aktual të Bashkisë Shkodër, Elton Radovani, si shkak i vesit të bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove, nisën duke marrë hua shuma të mëdha parash te persona të ndryshëm në Shkodër, të cilët ia lëshonin me një përqindje që varionte nga 3- 20%, siç bën të ditur Prokuroria e Shkodrës.

Këto fajde bënë që ishprefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij për kthimin e parave. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që t’i bënin edhe presione. Në një moment, ishprefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa mësohet se ka dy urdhra mbrojtjeje nga Gjykata, pikërisht për shkak të këtyre problemeve.
Dy djemtë e ish-prefektit kohët e fundit janë arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë, ndërsa vetë ish-prefekti mësohet se ndodhet ende në Shkodër. I ndodhur mes këtyre problemeve, Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në Prokurori dhe të denoncojë disa prej emrave, të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij u kishin marrë para hua.
Pas denoncimit të tij, Prokuroria dhe Policia nisën hetimet, ndërsa shumë prej bisedave janë regjistruar nga vetë ishprefekti Radovani, i cili ka pasur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë. Pas rreth dy muajsh erdhën edhe arrestimet në kuadër të operacionit “Maranaj”, duke vënë në pranga 12 persona, mes të cilëve kancelarin e Gjykatës së Shkodrës, si dhe ish-drejtorin e Patentave në Shkodër.
Në kërkim janë tre persona, ndërsa janë pezulluar nga detyra dhe kanë masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” Valbona Hajdari, notere në Shkodër, dhe Ergys Lohja, efektiv policie. Sipas burimeve, në çdo lëvizje që bën ish-prefekti Radovani, që pas denoncimit shoqërohet me Polici për shkak të këtyre problemeve dhe kërcënimeve që mund të ketë. Policia po heton për rolin e gjithsecilit nga 12 të arrestuarit, një pjesë e të cilëve janë të njohur të ishprefektit apo djemve të tij.
Në qytetin e Shkodrës, nga burime jo zyrtare mësohet se të arrestuarit janë vetëm një pjesë e vogël e atyre personave që japin para me fajde. Kjo praktikë është kthyer në një biznes për të fortët, si dhe një mundësi për pastrimin e parave të pista.
Mirëpo, përveç qytetit veriperëndimor, ky fenomen po lulëzon edhe në shumë qytete të tjera të vendit, por Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë nisur asnjë hetim, ashtu sikurse dhe në rastin e Shkodrës u desh një denoncim për zbulimin e një historie të frikshme.



