Kristiani vetëm 13 vjeç, akuzohet se dy ditë më parë i mori jetën me armë zjarri vëllait të tij. Kjo ngjarje po hetohet se ndodhi aksidentalisht, ndërsa i mituri po kalon një gjendje të rëndë psikologjike.
Familjarët po vuajnë edhe humbjen e djalit të madh, por edhe gjendjen në të cilën ndodhet i mituri.
Si çdo ditë, edhe të shtunën Kristiani ishte nisur për t’i dërguar drekën vëllait, i cili çonte bagëtitë në pyllin e fshatit Galush në Peqin.
Pasi kanë ngrënë drekë, vëllezërit kanë qëndruar me bagëtitë dhe sapo muzgu ra, ata janë nisur drejt shtëpisë. Për të ndihmuar vëllain e madh, Kristiani ka marrë armën e gjahut, që Ronaldo e kishte me leje. Pa dashje ai ka shtypur këmbëzën, duke qëlluar të vëllanë, i cili ishte shumë pranë tij.
Ronaldo humbi jetën menjëherë. Pasi ka lajmëruar prindërit për ngjarjen, Kristiani ka kaluar në gjendje të rëndë psikologjike kur ka parë vëllain e tij që nuk jepte shenja jete.
Për shkak të moshës ai nuk është ndaluar dhe as nuk është shoqëruar në polici, por është marrë në pyetje në prani të psikologut dhe prindërve.
Burime nga familjarët bëjnë të ditur se policia po i ndihmon që t’i sigurohet familjes një psikolog, duke kërkuar ndihmën e ndonjë shoqate, pasi 13-vjeçari ka nevojë për një terapi intensive për të kaluar gjendjen në të cilën ndodhet.
Familjarët nuk mund ta përballojnë ekonomikisht pagesën e psikologut, por nga ana tjetër kërkojnë që të shpëtojnë djalin e vogël nga depresioni.
Ndaj Kristianit nuk rëndon asnjë akuzë dhe ai nuk dënohet për shkak të moshës së tij.
Ndërkohë, të dielën pasdite (dje), Ronaldo Lleshi u përcoll për në banesën e fundit.

Ronaldo Lleshi
Ai kishte vetëm pak ditë që kishte mbushur 21 vjeç.
Emri i tij nuk lidhet me lojtarin e famshëm të Juventusit, por me brazilianin e Barcelonës, ekip për të cilën kishte dhe në zemër.



