Dhjetëra pedagogë e mësues që shërbejnë në institucionet arsimore të Forcave të Armatosura, festuan 7 Marsin bashkë me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një aktivitet në mjediset e garnizonit “Skënderbej”. Ministrja e Mbrojtjes vlerësoi kontributin ndër vite të Akademisë së FA-së në përgatitjen e mbi 8 mijë oficerëve që ndërtuan Forcat e Armatosura.
“Sot, çdo student që diplomohet nga kjo akademi është oficer jo thjesht i FA të Republikës së Shqipërisë, por edhe i Forcave të Armatosura të aleancës më të madhe dhe më profesionale që ka njohur historia, atë të NATO-s. Dhe besoj se s’ka vlerësim më të madh për punën tuaj sesa fakti që ushtarakët që kanë kaluar nga kjo Akademi ia kanë dalë të na përfaqësojnë shumë denjësisht, duke na nderuar ne dhe vendin, në komandat dhe misionet e NATO-s”, iu drejtua ministrja e Mbrojtjes pedagogëve të Akademisë.
Duke sjellë në vëmendje përcjelljen pak ditë më parë të rekrutëve të rinj në Shkollën e Trupës në Bunavi, Xhaçka theksoi mundësitë që i ofrohen çdo të riu për të bërë karrierë brenda Forcave të Armatosura. “Historia është plot me raste Forcash të Armatosura ku janë shpenzuar para pafund për pajisje për armatime, por nuk është investuar tek njerëzit, nuk është investuar tek talenti, tek profesionalizmi, tek fryma dhe tek meritokracia. Dhe padiskutim FA-të janë mbi të gjitha, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, që zgjedhin t’i kushtojnë jetën e tyre ushtrisë”, vlerësoi ministrja.


