Pas mbylljes së seancës së djeshme, ku Prokuroria kërkoi në total 78 vite burg për 4 të pandehurit ne akuze per vrasjen e Marvi Mihalit, për mediat foli babai i një prej të pandehurve.
Ai e konsideroi kërkesën e prokurorit si të padrejtë dhe si të thënë në kushte të një presioni.
“Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë, si mund të akuzosh për një vrasje 4 të rinj. Në këtë vend vret 4 policë dhe del i pafajshëm. Ndërkohë, lidhje me dyshimet se prokurori i parë i cili bëri ndryshimin e akuzës ishte ndikuar apo korruptuar, pati edhe një hetim nga Krimet e Rënda, por ky hetim u pushua më vonë sepse dyshimet nuk ishin të vërteta”, tha Tom Bitraj, babai i një prej të pandehurve.
Ky i fundit, më tej shtoi se janë në një proces civil, ku prindërit e viktimës i kërkojnë dëmshpërblim monetar për ngjarjen. Ndërkohë, kujtojmë se më herët një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga nëna e Marvi Mihalit.
“Familjarët e viktimës, përveç këtij gjyqi, kanë kërkuar edhe dëmshpërblim monetar prej 340 milionë lekësh. Këtu e arritën qëllimit, tani kërkojnë edhe dëmshpërblimin, por nuk besoj se do ta arrijnë qëllimin, pasi drejtësia vonon, por nuk harron”, tha Bitraj.
Ai më tej shtoi se kanë kërkuar të normalizojnë marrëdhëniet me familjarët e Marvi Mihalit që prej fillimit të kësaj historie, por një kërkesë e tillë nuk është pritur pozitivisht nga ata. Bitraj në fjalën e tij, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me pretendimet e prokurorit për një brez të ri që po shfaq sjellje të dhunshme, tha se djali i tij, por edhe të tjerët janë të edukuar dhe të shkolluar. Ndërkohë, ashtu siç edhe prokurori e përmendi si nismëtarin e ngjarjes, edhe Tom Bitraj u shpreh për Armend Haxhiun, i cili pavarësisht se kishte nisur çdo gjë, përfundoi duke “ia hedhur pa lagur”.


