Që prej muajit janarit, rreth 336 fëmijë kanë përfituar çekun e bebes në maternitetin e Durrësit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu riktheksoi angazhimin për të mbështetur të porsalindurit, nënat e reja dhe familjen me shpërblimin financiar të ofruar nga qeveria.
Gjatë vizitës në maternitetin e Durrësit, ministrja Manastirliu u dorëzoi çekun e bebes të porsalindurve në këtë maternitet.
“Bonusi i Bebes për çdo të porsalindur. Noeli ka lindur i shëndetshëm dhe ka ardhur në jetë me 120 mijë lekë bonus, fëmija i katërt i kësaj nëne nga Durrësi. Vetëm në maternitetin e Durrësit, 336 fëmijë kanë përfituar çekun e bebes që prej 1 Janarit. Mbështesim të porsalindurit, nënat e reja dhe familjen me shpërblimin financiar të ofruar nga qeveria. E gjithë vëmendja tek nëna dhe fëmija”, shprehet ministrja.


