Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në studion e ABC nwës, ka komentuar festën e Partisë Demokratike në 27 vjetorin e themelimit të saj.
I pyetur nga moderatorja e emisionit, për mungesën e disa prej themeluesve të PD-së, ish kreu i qeverisë deklaroi se ata shkëlqyen me mungesën e tyre dhe se ata janë pjesë e PD-së.
‘Ata shkëlqyen me mungesën e tyre. PD është ndërtuar mbi vlera dhe kontribute, dhe çdo njeri ka kontributin e tij në PD. Unë shoh një përpjekje serioze’, the ish-kryeministri.
Ndërsa sa i takon mungesës së disa prej diplomatëve të ftuar berisha tha:
‘Sa u përket diplomatëve, unë pashë disa prej tyre, normalisht disa mund të kenë munguar.Sigurisht që ka diplomatë që janë të pasionuar mas Ramës, e kanë të thekur pasionin, janë me bindje të majta. Sidoqoftë në një pritje vjen ai që do’.
Në studion e Abcnews, Berisha iu përgjigj pyetjeve mbi deklaratat e Ambasadorit amerikan për zgjedhjet e Kryeprokurorit pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.
“Donald Lu është në konflikt interesi. Z. Lu kërkon largimin e Adriatik Llallës. Ky i fundit e ka akuzuar Ambasadorin Lu për korrupsion të rëndë. Ai duhej ti përgjigjej Llallës. Nëse ambasadori kërkon të përfshihet në jetën publike, politike, atëherë ai duhet të vuajë pasojat. Unë kam pritur që ambasadori Donald Lu ti përgjigjej kryeprokurorit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, ka pasur, por nuk ka ndodhur që kryeprokurori i shtetit të akuzojë një ambasador me terma konkretë. Nëse ambasadori nuk i dha përgjigje, atëherë ka diçka aty. Ai është në konflikt të plotë interesi. Ai ka folur për emra të përveçëm për kryeprokurorin. Ai ka dalë jashtë funksionit të tij”, tha Berisha.
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me proçedurën për zgjedhjen e Kryeprokurorit, Berisha theksoi “thjeshtë është shndërrimi i Edi Ramës në kryeprokuror, reforma përfundoi me bërjen e Edi Ramës kryeprokuror i Shqipërisë”.
“Edi Rama të bëhet që nesër kryeprokuror. Kushtetuta është marrë peng. Druaj se do të merret peng kushtetuta. Nëse merret peng ajo, ti shuan opozitën me kushtetutë. Çfarë kërkon opozita? Të zbatohet kushtetuta që zgjedh kryeprokurorin me 84 vota. Nëse nxjerr ligje për të rrëzuar kushtetutën atëherë merr fund shteti ligjor. Nuk ka ligj që rrëzon kushtetutën. Opozita po kërkon që të vijë një njeri i vetuar”, tha Berisha.
Në vijim, ish-kryeministri deklaroi se “ambasadori Lu, bashkë me ambasadoren tjetër, a nuk u ka thënë shqiptarëve të paktën nga 1500 herë, vettingu, vettingu dhe tani e shkelmojnë”.
“Nëse Edi Rama e shkelmon e dhunon opozitën në këtë mënyrë, atëherë unë besoj se opozita ka mundësitë për ti dhënë përgjigjen e merituar. Unë e gjykoj këtë në aktin më të rëndë të 27 viteve”, tha Berisha.


