Kreu i Komisionit të Ekonomisë i ka dërguar sot një shkresë Ministrit të Financave për verifikimin e kontratës së qeverisë “Berisha” me Rapiscan, kompaninë amerikane e cila kishte me koncesion skanimin në dogana dhe që është larguar rreth 2 vite më parë nga Shqipëria.
“Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë për shkak të sensibilitetit të shtuar, për koncesionin për ngritjen dhe operimin e skanimit të kontenierëve jam i detyruar t’i drejtohem me një shkresë Ministrit të Financave për të nisur verifikimin e të dhënave të dala në publik ditët e fundit në mbështetje të dyshimeve për praktika korruptive në procedurën e ndjekur për dhënien e këtij koncesioni.
I kërkoj kryeministrit të hetojë në të gjithë dimensionin e saj këtë çështje.
Është një vlerë prej 250 mln eurosh që ndikon si tek kompanitë ashtu dhe tek individët. Nga i gjithë dokumentacioni që disponoj, unë mendoj që ka dyshime të arsyeshme që mbështesin edhe pretendimet për praktika korruptive të dala së fundmi”, deklaroi Braçe.


