Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Gjirokastër ku ka zhvilluar një takim me studentët e universitetit “Eqrem Çabej” në lidhje me Paktin për Universitetin. Por pa kaluar tek pakti, Rama ka dhënë një mesazh dhe për dialogun, një ditë pasi deputetët e opozitës dorëzuan dorëheqjen nga mandatet e tyre.
“E mira e dialogut është që jo vetëm flet dhe tjetri dëgjon por dhe dëgjon tjetrin kur flet dhe mëson nga tjetri. Del më i ditur se sa në momentin kur hyre”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, ndërsa ishte në bashkëbisedim me studentët dhe u kërkoi që t’i drejtonin pyetje, ai u shpreh se e dinte që pas Vitit të Ri studentët do të bëheshin të urtë fare, dhe se ajo që ai i druhet është frika se pas urtësisë do të vijë gjumi dhe nga gjumi do t’u duhet një dekadë të zgjohen.
“Ah e dija që do kalonte viti i ri dhe do të bëheshit të urtë fare, e dija. Por tani frika ime e madhe është se mos ju zë gjumi, dhe po ju zuri gjumi, do duhet një dekadë për t’u zgjuar. Por unë nuk do t’ju lë”, Tha Rama


