Protesta e paralajmëruar e opozitës e cila do të mbahet ditën e shtunë, ka bërë që faktori ndërkombëtar në Shqipëri të bëjë thirrje për tubim paqësor dhe pa akte dhune, duke sugjeruar edhe shtetasve të huaj në vendin tonë, që të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të jenë vigjilentë.
Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediet në PS, Alfred Peza gjatë një interviste televizive theksoi se opozita duhet të garantojë që në këtë protestë të mos ketë akte dhune, duke shtuar se opozita nuk ka bërë thirrje për distancim nga aktet e dhunës.
“Ka një element të mungesës së sinqeritetit politik në këtë diskutim. E para, kemi një qasje nga të gjitha ambasadat, nga SHBA, BE, nga ajo e Gjermanisë dhe OSBE-së, të cilat kanë shprehur se nuk duhet të ketë akte dhune në këtë protestë dhe opozita duhet të garantojë që protesta të jetë pa dhunë. Deri tani opozita nuk ka bërë asnjë thirrje për t’u distancuar nga dhuna dhe për të garantuar atë çfarë është në dorën e saj si organizatore e protestës, që të mos ndodh asnjë akt dhune, dhe pikërisht kjo është pjesa më e pasinqertë e të gjithë historisë së kësaj proteste. Do të ishim të shqetësuar nëse nuk do të kishte protesta në një vend demokratik. Është e pasinqertë opozita kur thotë se ne ja kemi lënë në dorë qytetarëve protestën. Opozita ka përcaktuar datën dhe orën e protestën dhe ata duhet t’i dalin për zotë protestës. Nëse do ishte lënë në dorë të qytetarëve, atëherë Basha nuk ka pse shkon në çdo shtëpi apo çdo biznes duke ftuar qytetarët. Është një protestë që më shumë vë në provë opozitën, sesa mazhorancën. Opozita ka 10 muaj që nuk ka protestuar”, – theksoi ai.
Sipas Pezës, protesta e së shtunës nuk ka asnjë lidhje me protestat e studentëve dhe të qytetarëve të Kukësit.
“Përsa i përket konfondimit, ka të bëjë me një element, është tjetër gjë protesta e studentëve të cilët dolën nga një padrejtësi që ata mendonin se u ishte bërë në lidhje me tarifat e studimit dhe ishin përtej partive politike, ata dolën në bazë të instiktit të tyre. E njëjta gjë edhe për protestuesit e Kukësit të cilët dolën atje për shkak të xhepit të tyre, në lidhje me vendosjen e tarifës së automjeteve në Rrugën e Kombit, dhe pikërisht partitë politike, kryesisht opozita shkoi për t’ua marrë kauzat qoftë studentëve, qoftë qytetarëve, duke jua prishur ato”, – theksoi Peza.
Ditën e shtunë partitë opozitare do të protestojnë në Tiranë, duke bërë që Policia e Shtetit të marrë të gjitha masat e duhura për mbarëvajtjen e saj.


