Vetëm përgjatë këtij muaji 7 gra janë vrarë nga bashkëshortët ose të afërmit, një bilanc ky tragjik për shoqërinë tonë. Rasti i fundit ishte i ditës së sotme ku një grua u vra me me tre plumba dhe ishte hedhur në ferra pranë liqenit të Sharrës dyshohet është vrarë nga kunati.
Dy dite me pare ishte një ngjarje tjetër tronditëse ku një punonjës i Gardës së Republikës, Alket Arapaj vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij, 36 vjeçaren, Ervilma Seferi, në prani të vajzës së tyre të mitur. Nga deklaratat e dhëna nga i pandehuri është thënë që motivi i vrasjes ishet se e tradhëtonte.
Për ta pyetur rreth këtyre ngjarjeve AlpeNews.al ka marrë në intervistë sociologun e njohur Gëzim Tushi nga ku shprehet se: Për fat të keq familja në vend që të jetë një vatër e lidhjeve të ngrohta e shpirtërore midis pjesëtarëve të saj, po bëhet qëndër e dhunës, krimit, vrasjeve.
INTERVISTA E PLOTË
1. Një tjeter vrasje tronditi sot Tiranën e cila riktheu dhe njëherë krimin në familje. Cili është mendimi juaj si sociolog lidhur me këto ngjarje?
Krimi në familje është zgjeruar, intensifikuar dhe ka marrë forma të shëmtuara, madje të përbindshme. Situata në familjen shqiptare po vazhdon të destabilizohet nga krimi. Për fat të keq familja në vend që të jetë një vatër e lidhjeve të ngrohta e shpirtërore midis pjesëtarëve të saj, po bëhet qëndër e dhunës, krimit, vrasjeve. Akoma më keq kohët e fundit po na ndodh një zgjerim I krimit në “seri”. Sapo mbyllet një krimi diku, ndodh tjetër krim diku tjetër. Ky “masivizim” I krimit është tejet shqetësues. Sidomos krimi ndaj grave është bërë si “buka e ditës”. Vrasje për konflikte banale apo për “cështje nderi” nga meshkujt. Të cilët kanë mbetur tek biologjia e tyre dhe Brenda kornizës së ngushtë morale që e konsideron “femrën e tij” si pronë private, të cilës ka të drejtë ai t’I vendosë kufirin midis të lejuarës dhe të ndaluarës.
2. Cfarë po ndodh me familjen shqiptare, a po kalon një gjendje krize?
Familja shqiptare në të vërtetë duhet të ishte në rrugën e demokratizimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve të pjesëtarëve të saj, misia meshkujve dhe femrave, gruas dhe burrit, prindërit dhe fëmijëve. Ka problem të mëdha familja në ndërtimin strukturor, funksionet bazë dhe vështirësi që pjesëtarët e saj të luajnë rolet e tyre. Kjo edhe për disa shkaqe të brendshme dhe të jashtme sikurse janë varfëria, papunësia, përtacia dhe plogështia për t’u orientuar në tregun e punës si mjet për të shmangur varfërinë dhe produktet negative të saj. Gjithashtu ndikime destabilizuese dhe zgjerimi I krimit po vijnë nga zgjerimi I përdorimit të alkoolit dhe drogave kryesisht nga meshkujt e saj. Të cilët stresin e varfërisë dhe papunësisë apo situatat mendore të agravuara I kthejnë në konflikte banale me gratë dhe pastaj pse jo edhe në krim.
3. Cili është shkaku që ndikon në kryerjen e këtyre vrasjeve?
Shkaqet e zgjerimit të krimit në familje janë të shumëllojshme. Nje pjesë janë historike dhe lidhen me të kaluarën e shoqërisë tonë, natyrën e saj maskiliste, patriarkale e mizogjene. Në një farë mënyre familja shqiptare e ka akoma të fortë mentalitetin e dominimit të mashkullit mbi femrën, nuk pranon kollaj konceptin modern për lirinë dhe të drejtat e saj integralisht humane, qytetare dhe qytetëruese.
Mbi të gjitha janë difektet që ndihen në mungesën e kulturës së tolerancës dhe zgjidhjes me mirëkuptim të problemeve dhe konflikteve bashkëshortore. Në të njëjtën kohë po zgjerohen maretsat e bëra me shpejtësi dhe motive të sipërfaqshme qe e bëjnë atë shumë shpejt të jetë e paqëndrueshme dhe skarco. Kjo po zgjeron shifrat e divorcit, I cili gjithashtu ka mungesa në realizimin si zgjidhje humane për një martesë që nuk funksionon. Edhe divorcet I kemi të bujshme dhe të dhunshme.
4. Kush mendoni që mund të jetë zgjidhja për ta frenuar këto lloj ngjarjesh dhe minimizuar kriminalitetin?
Zgjidhjet e kësaj situate të krimit në shoqëri nuk janë të lehta por nuk janë edhe të pamundura. Na duhet të përqëndrohemi dhe të “investojmë” më shumë dije, njohuri, modele por dhe para për të forcuar rolin edukativ dhe modalitetet e socialitetit familjar midis burrave dhe grave, prindërve dhe fëmijëve. Shkolla ka një rol e përgjegjësi në formimin human, kulturor e qytetar të të rinjve për të përmirësuar kornizën morale dhe mënyrat e sjelljes e komportimit social me femrat por dhe me njëri tjetrin. Duhet larguar koncepti seksait që femrën e shikon si “object seksi” apo dhunimin dhe përdhunimin e saj thjesht si një “fatalitet” biologjik që I ka rënë femrave në kuriz. Humanizimi I marrëdhënieve midis të rinjve dhe të rejave mbetet një dedyrë obligative e shkollës.
Institucionet fetare duhet të kthejnë sytë më shumë në drejtim të ndikimit shpirtëror ndaj besimtarëve të saj. Po kështu media duhet të jetë më e kujdeshme në pasqyrimin e nxituar dhe shpesh herë sipërfaqësore, Në emër të kapjes së lajmit, media bën një trajtim sipërfaqësor duke ndikuar në publikimin e panevojshëm apo të dëmshëm të disa rasteve që shihen si arketipe me ndikim social negative.
Shoqëria civile mbetet me shumë peshë për mbrojtjen e grave nga krimi. Por ato nuk duhet të merren vetëm me gratë, por me emancipimin e meshkujve tanë, për t’I larguar ata nga “biologjia” maskiliste dhe konceptete e deformuara mizogjine e seksiste.
Përgatiti: AlpeNews.al


