Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Teodor Lerën, i vrau bashkëshorten e tij dy ditë më parë.
57-vjeçari Teodor Lera pasi mbyti bashkëshorten tentoi të vetëvritej duke prerë damarët
Eva Lera rreth 45 vjeç është mbytur nga bashkëshorti Teodor Lera, 57 vjeç, në apartamentin e saj në katin e parë të një pallati në rrugën “Dervish Hekali”.
Pas krimit, mësohet se Lera ka tentuar të vetëvritet duke prerë damarët me thikë. Ai është transportuar me urgjencë në spital rajonal të Vlorës për mjekim dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
“Sot rreth orës 12:10, në lagjen “Kushtrimi”, në katin e parë të një pallati është gjetur e pa jetë një shtetase 45 vjeçe. Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo mund të jetë vrarë nga bashkëshorti. 57-vjeçari më pas, dyshohet se ka prerë damarët. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informoi policia.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit por bashkëshortët mësohet se kanë pasur konflikte të mëhershme dhe burri ka qenë i proceduar një vit më parë për dhunë në familje.
Çifti i bashkëshortëve janë prindër të tre fëmijëve. Vajzë e djalë i kanë në Amerikë dhe Angli, ndërsa një vajzë tjetër studente në Tiranë.


