Për të varrosur të atin, Aleksander Ndoka, i cili mbeti i vdekur pas një atentati mafioz që iu bë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i dha leje të birit, Samuel Ndoka, që aktualisht ndodhet i arrestuar nga policia me akuzën e plagosjes.
Përveç 19-vjeçarit Samuel Ndoka, të pranishëm në ceremoni ka qenë dhe vajza e tij e madhe, Jorida, ndërsa ka munguar djali tjetër, Klajdi Ndoka, për shkak se është person i shpallur në kërkim nga policia, sepse akuzohet se ka dhunuar nënkryetarin e qarkut të Lezhës.
Edhe pse person në kërkim nuk qarkullon asnjë foto e 21 vjeçarit, Klajd Ndoka.
Djemtë e Ndokës u dyshuan si autorë të dhunës së ushtruar ndaj nënkryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë, Agustin Marku, por ky i fundit nuk bëri denoncim ndaj tyre dhe nuk i akuzoi asnjëherë publikisht.
Gjithashtu, Samuel e Klajdi Ndoka janë të dyshuar se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, së bashku me kushërinjtë e tyre plagosën (me tytën e armës) Florian Dushkun, aktivist të LSI-së.
Këtij të fundit iu bë pak kohë më parë edhe një atentat tjetër me armë zjarri në shëtitoren e Shëngjinit, por sipas të dhënave, Ndokajt nuk e kanë marrë përsipër këtë krim.
Për këtë ngjarje u shpallën në kërkim të dy vëllezërit, Klajdi e Samueel Ndoka. Ky i fundit u arrestua, ndërsa i vëllai është ende në kërkim.
Sipas të dhënave, dy vëllezërit Ndoka ishin mjaft problematikë në Lezhë dhe lëviznin të armatosur. Ata janë të dyshuar edhe për disa krime të tjera, por që nuk ka pasur prova për t’ua adresuar autorësinë.




