Kryeministri Edi Rama gjatë ditës së sotme ka vizituar një bujtinë të hapur rishtas në fshatin Prezë. Sipas njoftimit të shpërndarë nga mediet nga zyra e kryeministrisë, kjo bujtinë, është ringritur me mbështetjen e programit kombëtar për zhvillimin rural.
I shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimi Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, Kryeministri Rama, e vlerësoi iniciativën si një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ata fermerë që në tokën e tyre prodhojnë më shumë sesa vetëm për vete.
Më tej Rama tha se për këta investitorë të cilët kursimet e punës së tyre mund t’i investojnë në atdhe, do të favorizohen nga një sërë lehtësish fiskale.
“Përveç paketës së lehtësimeve të taksave, tani 5% tatim fitimin, por edhe me TVSH-në 6% siç është për hotelet me 5 yje, por, siç ju kemi dhënë ju, jemi shumë të angazhuar t’i japim mbështetje financiare direkte të gjithë atyre që duan të bëjnë transformime të tilla që shkojnë në drejtim të promovimit të zonave, të bukurive natyrore.
Po shohim që ka gjithmonë e më shumë kërkesë dhe faktikisht, llogaria është shumë e thjeshtë, edhe për ata që janë në emigracion e që kanë një shtëpi në fshat, apo kanë një tokë, nëse ndërtojnë një agroturizëm, kanë më shumë të ardhura sesa çdo rrogë në emigracion”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Sipas kryeministrit, ky lloj turizmi që të gjithë të mund t’i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina, është një mundësi e re për të rritur të ardhurat e familjeve.
“Ky është efekt zinxhir. Në fillim, kur bëmë thirrjen e parë nuk patëm aplikime. Tani janë bërë edhe më shumë. Në gjithë këtë peizazh, gjithkush që ka një mundësi, ka më shumë sesa aq sa i duhet për të jetuar vetë, mund ta kthejë direkt në një bujtinë shtëpinë dhe pranë shtëpisë ndërton një agroturizëm dhe gjithçka ndryshon”, – u shpreh Kryeministri.


