Një familje me tre anëtarë nga Zeta e Malit të Zi dhe një djalë nga Podgorica u mbytën sot në anën malaleze të liqenit të Shkodrës, për shkak të një stuhie që u përmbysi varkën në të cilën ndodheshin.
Sipas një dëshmitari janë mbytur një cift bashkëshortësh, vajza e tyre si dhe një djalë që u përpoq t’i shpëtonte. Drejtori i Parkut Kombëtar të Malit të Zi, Nenad Ivanoviq, konfirmoi për “Vijesti”, pa dhënë detaje të mëtejshme, se një trup është gjendur. Ndërkohë, ai është shprehur gjithashtu se po kërkohet edhe për 3 trupat e tjerë.
Varka, e cila i ishte drejtuar Manastirit të Vranjës, kishte në total 9 persona. Pesë prej tyre raportohet se duke notuar, kanë arritur të dalin në breg dhe të shpëtojnë.
Departamenti i Emergjencave, përfshirë edhe një helikopter ndodhen në vendin e ngjarjes, ku po punohet për gjetjen e 3 trupave.


