Janari, i njohur prej vitesh si muaj I mbrapsht numëron në këtë start të 2019 plot gjashtë vrasje.
Shqiptarët e morën tronditjen e parë të këtij viti që me 2 janar, ku burri I familjes vrau e masakroi me thikë bashkëshorten dhe kunatën e tij.
Prej këtu, një kalvar vrasjesh atentatesh do të vijonin pa u ndalur ku thuajse çdo javë një familje do të vajtonte dhe krimi do të godiste sërish, herë në familje e herë në rrugë.
Nga i pari tek i fundit. Një ditë para mbylljes së muajit, me 30 janar Tirana pësoi një tjetër humbje, atë të një ish efektivi policie I cili u ekzekutua me 15 plumba në derë të shtëpisë së tij.
*Ngjarjet
2 Janar 2019, Gazmend Musta vret gruan dhe kunatën:
Gentjana dhe Mersia nuk jetojnë më pasi u vranë në shtëpinë e tyre. “Arrest me burg” është masa që dha Gjykata e Krimeve të Rënda për Gazmend Mustën, i cili akuzohet se pas një konflikti për motive banale, vrau gruan dhe motrën e saj 18-vjeç. Musta u paraqit në gjykatë kokulur dhe në lot, ndërsa i penduar ka pranuar krimin. Autori ka pasur vetëm një kërkesë; kujdesin për dy fëmijët e mitur 3 dhe 7-vjeç, të cilët deri në një vendim të gjykatës, do të jenë në kujdestarinë e vjehrrës së tij. Nga ambientet e Gjykatës, Musta deklaroi se vrau gruan pasi e kishte ajo kishte ofenduar.
3 Janar 2019, babai vret vajzën në Korfuz
Një krim makabër ka ndodhur në Korfuz të Greqisë ku një shqiptar ka vrarë vajzën e tij 28-vjeçare dhe më pas ka fshehur trupin e saj në kopshtin e shtëpisë. Mendohet se arsyeja ishte sepse Anxhelina Petro ishte e lidhur me një afgan.
14 janar 2019, vret vjehrrin dhe vjehrrën në Tiranë
Me idenë e qartë, në orën 5:30 të mëngjesit të së hënës, Majlind Lila shkoi në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-gruas. Aty kreu aktin e rëndë të vrasjes që tronditi Tiranën. Bujar dhe Xhevaire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52 vjeç, u vranë nga 52-vjeçari, i cili më pas vrau edhe veten. Autori që tronditi mbarë opinionin publik, kishte vetëm 2 ditë që kishte mbërritur nga Suedia por nuk dihet shkaku i ardhjes, apo nëse ishte deportuar pasi kishte kërkuar azil së bashku me Nevilën, vajzën e çiftit të ndjerë. Ish-vjehrrin e vrau në dhomën e ndjenjës, kurse ish-vjehrra humbi jetën nga tentativa për tu larguar nga banesa por plumbat e Lilës i morën jetën në korridor.
Vrasja në Korçë për parkimin
Kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu dhe sërisht do të përfundojë pas hekurave. Olger Mustafaj, një ish-i dënuar për plagosje me kallashnikov, është autor i vrasjes në Korçë.
Altin Balliu u vra për një fjalë goje. Autori rezulton një person me precedentë të rrezikshëm penale dhe është shpallur në kërkim. Ai rezulton të jetë banor i lagjes, pikërisht aty ku ndodhi krimi. Përplasja me 35-vjeçarin Altin Balliu i ndodhi para një lokali në Korçë. Ai po kalonte me makinë dhe rruga ishte e zënë nga mjeti me të cilin po lëviznin shokët e viktimës. Mustafaj hyri në lokal dhe gjatë sherrit verbal u dëgjuan shprehje të tipit kush jam unë, kush je ti. Më pas është larguar me makinë për t’u kthyer sërish i armatosur me pistoletë. I dyshuari e gjeti vetëm viktimën dhe e qëlloi disa herë kohën, kur ai po shkonte drejt mjetit ku ndodheshin shokët. Dy prej plumbave e prekën Balliun në kokë dhe trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
24 Janar, kap motrën me të dashurin dhe e vret
Arben Gjeçi mbeti i vrarë me sende të forta mbrëmjen e 24 janarit në fshatin Bastar i Mesëm në Tiranë. Viktima kishte një lidhje jashtë martesore me një grua gjithashtu të martuar, vetëm 20 vjeçe.
Nën akuzë për ngjarjen janë vënë tre persona, shtetasi Esat Cani, motra e tij Elida Cani dhe dhëndri Dëfrim Kurti.
Ditën e ngjarjes, Cani dhe viktima janë takuar pranë një ndërtese të pabanuar. Në dosjen e prokurorisë thuhet se dhoma ku janë takuar, ka dalje në oborrin e familjes së gruas, e cila ka dalë e para për të verifikuar praninë e ndonjë personi.
30 Janar 2019, atentat në Selitë. Vritet me 15 plumba ish polici
Arben Bilali, ish-efektiv policie u qëllua me automatik nga dy persona që lëviznin në një “Benz” të zi, të cilët dyshohet se janë vrasës me pagesë.
Familja e tij ishte prej kohësh në konflikt me një grup që vepron në zonën e Selitës, e pikërisht për shkak të këtyre konflikteve janë vrarë më parë edhe dy vëllezërit e Arbenit, Bujari dhe Leonardi, përkatësisht në vitin 1998 dhe 2010.
Përgatiti: AlpeNews.al








