Është përcaktuar tashmë treshja e gjyqtarëve që do të marrin në dorë dosjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se shorti është hedhur sot pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe ka përcaktuar një treshe gjyqtarësh të kryesuar nga Flora Hajredinaj.
Pak ditë më parë avokati i Balilit, Theodhori Sollaku dorëzoi një kërkesë për gjykim të shkurtuar, por seanca e parë tek Kriemt e Rënda u ndërpre me pretendimin se Balili ka dashur që ta bëjë personalisht këtë kërkesë.
Dorëzimi i Klement Balilit ndodhi pikërisht në momentin kur dhe Prokuroria për Krimet e Rënda sapo ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.
Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.
Pas pothuajse tre vitesh në arrati, Klement Balili u dorëzua me 15 janar dhe kjo ngjarje bëri bujë jo vetëm në mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare.


