Një prej kryetarëve më të zëshëm të partive të koalicionit opozitar, Agron Duka ka dalë kundër idesë së PD dhe Lulzim Bashës, për të shkuar në zgjedhje të reja me një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën Kryeministër. Kjo ide u hodh në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD.
Sipas Dukës, një politika me eksperiencë të gjatë tashmë, “duhet alternuar aksioni opozitar përmes protestave, me rrugën parlamentare. Duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor dhe të miratohet Reforma Zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Mund të shkohet në zgjedhje edhe me qeverinë socialiste, por natyrisht nuk jam këtu për të bërë opozitën e opozitës. Nuk e hedh kurrsesi poshtë keqqeverisjen dhe kërkesën e opozitës për zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore. Por, duket pak utopike dhe e parealizueshme”.
Një ditë më parë ka qenë Edmond Spaho, Kryetari i Grupit Parlamentar ai që ka thënë në media se Partia Demokratike nuk kërkon një qeveri teknike me pjesëmarrjen e saj të ngjashme me atë të parazgjedhjeve të vitit 2017-të. Nënkryetari, Edmond Spaho, thotë se me rëndësi është largimi i kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij bashkëpunon me bandat për të vjedhur vota. Spaho thotë se qeveria tranzitore mund të dalë edhe nga PS, por të përbëhet me njerëz me integritet.
Por edhe anëtarja e Kryesisë së PD, deputetja Grida Duma duket kundër Spahos kur ka deklaruar se “gjithçka që më shqetëson mua e kam diskutuar edhe më Bashën i ka thënë s’kemi më asnjë luks për të eksperimentuar”,- duke patur parasysh se një kërkesë e tillë ishte bërë nga PD edhe në periudhën e protestës së çadrës më 2017.
Agron Duka konkudon se Lulzim Basha “në intervistat e kohëve të fundit, e sheh bardhezi problemin dhe thotë se ne nuk mund të bazohemi te ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet, por të fokusohemi tek aksioni opozitar, protestat, si rrugë e vetme për të shkuar në zgjedhjet lokale të këtij viti pa Edi Ramën si kryeministër. Kjo më duket pak utopike sepse është një metodë e provuar në zgjedhjet parlamentare”.
Siç shihet e vetmja strategji e artikuluar deri tani nga Partia Demokratike dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka nisur të fusi ujë, ende pa e nisur udhën e saj, duke u mbytur në cektësinë e saj, nga kritikat brenda PD dhe koalicionit.
Alpenews.al


