Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot paradite një konferencë lidhur me zbatimin e regjimit të posaçëm në burgje, që pritet të hyjë së shpejti në fuqi pas miratimit nga parlamenti.
Të pranishëm në konferencë ka qenë edhe prokurori i Antimafias Italiane, Federrico Cafiere De Raho, i shoqëruar nga një grup ekspertësh të kësaj prokurorie, Ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadori italian Alberto Cutillo, ndërsa nga pala shqiptare merrnin pjesë drejtues të lartë të Prokrurorisë, Policisë së Shtetit dhe drejtorisë së burgjeve.
Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj, u shpreh se aktiviteti në fjalë përkon me një moment shumë të rëndësishëm të luftës që po zhvillon Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe të masave konkrete që po ndërmerren në kuadër të kësaj lufte.
“Ky takim përkon me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të ligjit, ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve’, ose të regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë, i ashtuquajturi nga të gjithe neni 41 bis, pasi origjina e tij është pikërisht modeli italian 41 bis. Dua të falenderoj edhe njëherë Prokurorin De Raho dhe delegacionin shoqërues për mbështetjen e ofruar në këtë aspekt dhe gadishmërine e tyre për të sjell në këtë tryezë eksperiencën italiane”, ka thënë ministrja Gjonaj.
Ministrja ka theksuar vendosmërinë e diksaterit që drejton, por edhe të qeverisë shqiptare për të zbatuar me përpimëri dhe efektivitet modelin e ri të sigurisë në burgje.
“Ne jemi të vendosur të vijojmë me zbatimin efektiv të këtij regjimi, i cili është miratuar pas një kërkese të përbashkët të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, si një regjim që synon të neutralizojë rrezikshmërinë dhe lidhjet e të burgosurve, të dënuar ose në paraburgim, me organizatat e tyre kriminale”, është shprehur Gjonaj.
Sipas ministres së Drejtësisë lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në këtë sfidë madhore.
Nga ana e tij Prokurori Italian i Antimafias Federrico De Raho shprehu mbështetjen për iniciativat e ndërmarra nga Ministrja e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar.
“Jam për të dytën herë brenda pak muajsh në Shqipëri për të dhënë mbështetjen, por edhe eskperiencën tonë në luftën që shteti shqiptar ka ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo konferencë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dëshmon edhe një herë angazhimin e ministres dhe të Qeverisë në të cilën ajo bën pjesë, për t’u përballur me me problemet e lidhura me luftën kundër mafies dhe korrupsionit”, është shprehur De Raho.
Prokurori i antimafias e cilësoi ligjin “41 bis”, si shumë të rëndësishëm. “Ky instrument ligjor është shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke qenë se kufizon mundësitë për të komunikuar me jashtë, veçanërisht për pjesëtarët e organizatave kriminale, që mund të vazhdojnë nga brenda burgut të drejtojnë aktivitetet e bandave të tyre kriminale, të japin udhëzime dhe të menaxhojnë aktivitetet e tyre të paligjshme”, ka theksuar De Raho.
Konferencën e ka përshëndetur edhe Ambasadori i BE, Luigi Soreca, ndërsa më pas ekspertët italianë kanë folur për eksperiencën e tyre në zbatimin e modelit 41 Bis si dhe iniciativave për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.


