Nuk ka procese automatike, të cilat do t’ia mundësonin Kosovës anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe në rast se do ta merrte njohjen nga Serbia, në fund të procesit të dialogut, thotë Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare.
Në një inrervistë për REL, Bashkurti thotë se kjo njohje vetëm do ta lehtësonte procesin e integrimeve të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe njohja e ndërsjellë eventuale, hapë rrugën gati se me automatizëm drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara. A mund të jetë kështu?
Lisen Bashkurti: Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare, por edhe në praktikën e njohjes së shteteve të reja dhe të pranimit të tyre në Kombet e Bashkuara, ky proces nuk mund të lidhet në mënyrë automatike. Kjo për arsyen që, sikur që e thashë, procesi i njohjes së shteteve është atribut i vendimit politik të çdo shteti sovran, përfshirë këtu anëtarët e thjeshtë të OKB-së, ashtu sikurse edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Është qëndrimi i tyre politik, është vendimi i shteteve sovrane, në përputhje me interesat e tyre kombëtare, ai që përcakton fatin e mëtejshëm të njohjes së Kosovës dhe të integrimit të saj në Kombet e Bashkuara. Nuk ka procese automatike të parashikuara në të Drejtën Ndërkombëtare, respektivisht, në kartën e Kombeve të Bashkuara ose në praktikat e kësaj natyre.
Ajo që mund të thuhet pa mëdyshje, është që njohja e Kosovës nga Serbia do ta lehtësojë shumë procesin, për faktin se një pjesë e vendeve, të cilat refuzojnë njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të, kanë qenë shumë të kushtëzuara nga lidhjet dhe interesat e tyre bilaterale ose rajonale në bashkëpunimin me Serbinë.
Ato janë ndikuar dhe vazhdojnë të jenë të ndikuara nga politika dhe veprimi i aksionit diplomatik serb. Kështu që njohja nga ana e Serbisë do të lehtësonte procesin e integrimit të Kosovës, gjithashtu edhe në Kombet e Bashkuara.
Njohja nga ana e Serbisë, padyshim që do të ishte një hap pozitiv për të shpejtuar edhe procesin e njohjes nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të hapte dritën jeshile për vazhdimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Serbisë, si dhe do të lehtësonte procesin e avancimit të mëtejshëm të Kosovës në integrimin Euroatlantik, respektivisht në BE dhe në NATO.
Bashkurti është shprehur kundër idesë së korrigjimit apo ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e kontestit Kosovë-Serbi. Madje, ai nuk beson fare në qëndrueshmërinë e politikave të Serbisë edhe në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën.
Lisen Bashkurti: Lidhur me formatin e marrëveshjes ose cilësinë e marrëveshjes, pasi që shtrohet pyetja edhe lidhur me korrigjimin apo ndryshimin e kufirit, kjo është një çështje shumë kontroverse dhe shumë e diskutueshme. Në përgjithësi, mendimi akademik – shkencor, por edhe politiko-diplomatik, është që Ballkani të mos futet në qefullin e korrigjimit të kufijve apo të ndryshimit të tyre për tri arsye kryesore.
E para, sepse Ballkani ka një përvojë historike shumë të përgjakshme lidhur me ndryshimin e kufirit. Ndryshimi i kufijve në Ballkan ka qenë sinonim i konfrontimit, i luftërave dhe konflikteve të përgjakshme për më shumë se 100 vjet.
Së dyti, Ballkani ka shtete relativisht të dobëta, shtete të sapokrijuara ose shtete të tranzicione të vështira, të cilat nuk garantojnë stabilitet të tyre të brendshëm, stabilitet në marrëdhëniet me fqinjët dhe stabilitet të qëndrueshmërisë në rajon, në rast se hapet “Kutia e Pandorës” së kufijve.
Së treti, Ballkani nuk ka një sistem demokratik të konsoliduar, koherent dhe koheziv, brenda tij, që të mund t’i zgjidhë problemet e debateve territoriale bazuar në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe të parimeve demokratike të Bashkimit Evropian. Janë këto tri arsye që e bëjnë shumë të papërshtatshëm, madje shumë të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, procesin e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve.
Në rastin e bilaterales Kosovë-Serbi, kjo çështje bëhet akoma më e komplikuar, sepse lidhet edhe me efektet e njëpasnjëshme ose domino, siç thuhet në shkencat politike, edhe për hapësirat e tjera politike, minoritetet, zonat kufitare, zonat transitive, të cilat e fusin në një proces shumë të paparashikueshëm rajonin.
Radio Evropa e Lirë: A përjashtohet mundësia e zgjidhjes përmes korrigjimit të kufirit?
Lisen Bashkurti: Megjithatë, gjithçka është e mundshme. Nuk mund të përjashtohet mundësia se mund të shkohet drejt korrigjimit. Por, kjo kërkon një qëndrueshmëri të madhe të dy faktorëve bilateralë në bisedime, një mbështetje shumë të fuqishme dhe garanci shumë të madhe ndërkombëtare që ky proces nuk do të shtrihet ‘domino’ në rastet e tjera dhe problemet e përafërta në Ballkan dhe se do të garantojë kushtet e një marrëveshjeje të garantuar dhe të mbështetur ndërkombëtarisht.


