Vlora, qyteti i detit duket se është kthyer në një seri atentatesh, ku po dita ditës po i vendoset eksploziv automjeteve personave me precedentë penale.
Rasti i fundit ishte mbremjen e djeshme ku tre automjeteve iu vendos eksploziv. Sipas policisë, janë të treja të qëllimshme.
Të tre automjetet ishin në pronësi të të njëjtit person.
Ky nuk është rasti I vetëm ku qyteti I Vlorës “zgjohet” mes flakëve. Hakmarrja ndaj të zotëve të këtyre automjeteve është një sinjal kërcënimi. Një shenjë paralamëruese për atë se çfarë mund të ndodhë më pas.
Atentai I bujshëm ishte ai I gjyqtarit Skerdilajd Konomi në shtator 2011, një krim që po hetohet për dyshimet se gjyqtari u vra për shkak të detyrës dhe që ende nuk dihet se kush janë vrasësit e kush janë porositësit.
Megjithatë edhe më parë këtij atentati, qyteti I Vlorës nuk mundi ti shmang këto lloj vrasjesh ose atentatesh. Pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomit Vlora nga ajo ditë e deri më sot ka pasur një seri atentatesh ku nuk u kursyen zyrtarët, biznesmen ndërtimesh deri tek atentatet për pazare droge.
AlpeNews.al ju sjell disa nga rastet që tronditën qytetin e Vlorës që ishin paralajmërime apo edhe atentate fatale:
Çfarë ndodhi dje:
Tre automjete u dogjën mbrëmë gjatë natës në lagjen “Uji i ftohtë”, në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, zjarrvëniet janë të qëllimshme në të treja rastet.
Të tre automjetet ishin në pronësi të të njëjtit person.
Gjyqtari Konomi
Seria e atentateve me eksplozivë nisi pikërisht më 9 shtator të vitit 2011, kur një sasi eksplozivi me telekomandë e vendosur në automjetin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi shpërtheu. Konomi humbi jetën, ndërsa hetimet u fokusuan te çështja e pronave, por asnjëherë nuk u përjashtuan as pistat e tjera, pavarësisht se deri më sot kjo dosje ka mbetur pa autor. Madje, edhe pas dy vitesh e gjysmë, familja e gjyqtarit të Vlorës mbahet në ruajtje nga policia. Atentati ndaj Konomit u realizua në mënyrë demonstrative në mes të qytetit të Vlorës dhe pas shpërthimit, mjeti i tij u përfshi nga flakët. Ai njihej nga të gjithë si gjykatësi i çështjeve civile me reputacion të mirë, i ndershëm e familjar i rregullt, baba i dy fëmijëve.
Polici i rendit
Atentati i radhës, pas Konomit ndodhi në fillim të vitit 2012. Pikërisht më 27 janar 2012, një sasi eksplozivi shpërthen në automjetin e inspektorit të rendit në Vlorë, Andi Begaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Makina me targa angleze, sipas hetimeve ka shpërthyer pak kohë, pasi Begaj kishte mbërritur në banesë. Mjeti ka qenë i parkuar pranë banesës së policit në momentin kur ndodhi ngjarja. Pistat e hetimit në lidhje me ngjarjen, kanë të bëjnë me konfliktet për shkak të detyrës apo probleme personale, por deri më sot, as kjo ngjarje nuk është zbardhur.
Ardian Kollozi
Por, pas këtij atentati, policia ushtroi kontrolle të shumta në Vlorë dhe presion ndaj kontingjentit kriminal dhe për rreth një vit e gjysmë nuk pati atentate të tjera me eksploziv. Qetësia u prish në fillim të muajit qershor, tri javë para zgjedhjeve, kur një sasi eksplozivi shpërtheu në banesën e kreut të Partisë Demokratike të Vlorës, Ardian Kollozi. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 3 qershor 2013 dhe në atë kohë, politika e cilësoi këtë si akt terrorist në kulmin e fushatës elektorale. Edhe për këtë ngjarje, ende nuk ka një autor. Fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale dhe nuk pati të lënduar në njerëz.
Dita e zgjedhjeve
Pikërisht më 23 qershor, kur zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare, Vlora u gdhi me një tjetër shpërthim. Këtë herë, eksplozivi u vendos në automjetin fuoristradë të sekretarit të Partisë Socialiste Vlorë, Kreshnik Tepelena. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë që ngjarja u cilësua me prapavijë politike.
Prokurori Tafili
Po ditën e zgjedhjeve, një atentat me eksploziv u krye edhe ndaj prokurorit Dorian Tafili, i cili në atë kohë drejtonte Prokurorinë e Vlorës. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit, prokurori nuk ndodhej në mjetin e tij dhe nuk pati të lënduar në njerëz. Kjo çështje, ashtu si të gjitha rastet e tjera u morën nën hetim nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por sërish nuk ka një autor të identifikuar për atentatin.
Prefekti Dervishi
Pas zgjedhjeve, Vlora u duk sikur iu kthye normalitetit. Megjithatë, më 13 dhjetor, vëmendja u rikthye sërish tek atentatet me tritol. Bëhet fjalë për tritolin e vendor në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, që u zbulua pak para se mjeti të hynte në rrethimin e Kryeministrisë. Pavarësisht se ngjarja u zbulua në Tiranë, prokurorët dyshojnë se atentati është përgatitur që në Vlorë, por një defekt në mekanizmin e shpërthimit, mendohet se i ka shpëtuar jetën Dervishit. Sasia e eksplozivit ishte vendosur poshtë mjetit të tij “Peugeot” me targa “TR 5066 N”. Mjeti ishte drejtuar për të hyrë në Kryeministri, por nga kontrolli i Gardës rezultoi se në pjesën e poshtme ishte vendosur eksploziv. Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ndërkohë, ky atentat u pësua me atë të djeshmin, ndaj kreut të Komunës Qendër, kur makina shpërtheu duke lëvizur në qendër të Vlorës. Të gjitha këto raste, të nisura nga shtatori i vitit 2011 dhe deri dje, po hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por shpresat për zbardhjen e ndonjërës prej tyre mbeten tepër të vakëta.
21 janar 2014
Atentati ndaj Fredo Berberit, me detyrë ish kryetar Komune. Makina e tij shpërtheu në lëvizje ndërsa ai ngeli i plagosur.
29 gusht 2014
Atentati ndaj biznesmenit Ermal Bajramaj I cili u plagos teksa po udhëtonte me makinën që shpërtheu.
29 janar 2017
Një makinë u hodh në erë në lagjen Pavarësia. Policia tha se ky ishte një mesazh kërcënimi për pronarin e audit Q7, Flamur Lamaj. Shpërthimi ndodhi poshtë banesës së tij, por që nga ajo ditë ngjarja është akoma e pazbardhur.
27 nëntor 2017
Nje “Jeep” u hodh në erë me 500 gr tritol në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit. Atentati ishte i telekomanduar dhe 25 vjeçari Ines Hajrulla, djali i një biznesmeni u plagos rëndë. Ai humbi njërën këmbë por mbijetoi. Policia dyshon që ngjarja ka lidhje me aktivitetet e tij të errëta në të kaluarën.
23 tetor 2017
Makina e Gëzim Dervishit u përfshi nga flakët në lagjen “Partizani”, pranë bashkisë së qytetit të Vlorës. Kjo ishte hera e dytë që Dervishit i shkrumbonin makinën dhe ngjarjet janë pa autor.
Përgatiti: AlpeNews.al












