Teksa LSI dhe PD flasin për zgjedhje të parakohshme, ka nga ata aleatë të opozitës të cilët i kanë sytë tek reforma zgjedhore.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, kreu i PAA Agron Duka rithekson edhe njëherë qendrimin e tij kritik ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilën nuk e quan as krisje por as “muaj mjalti”. Sipas Dukës, aleati Basha i ka dhënë një sërë premtimesh por ka zhgënjyer për ti mbajtur ato.
Duka thotë gjithashtu se nuk bëhet fjalë për krijimin e një poli të tretë por edhe nëse kjo do të ndodhë bëhet për ti shtrirë dorën atyre që nuk pajtohen me partitë e mëdha.
Ju vetë, keni postuar një foto ku shkruani se ““Ose do të gjejmë një rrugë, ose do të krijojmë një të tillë”.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Skadimi i të gjitha afateve për miratimin në kohë të “Reformës Zgjedhore”, ka prodhuar një dinamikë të re në marrëdhëniet midis PAA-së dhe Partisë Demokratike. Nga aleati ynë kishim marrë prej kohësh premtimin se ‘Reforma Zgjedhore” do të ishte një prioritet edhe për PD-në. Kjo nuk ka ndodhur, për pasoj, edhe në mënyrë konsekuente me ato që kanë qenë qëndrimet tona mbi këtë temë ne po shqyrtojmë të gjitha mundësitë. Unë nuk kam folur për një pol të tretë, por kam shtrirë dorën e bashkëpunimit për të gjithë ata që nuk pajtohen me mënyrën sesi partitë e mëdha po trajtojnë këtë çështje thelbësore për të gjithë ne.
Cila eshte pika ose pikat tuaja te panegociueshme ne kerkesat qe po i beni Partisë Demokratike?
Pika jonë e panegociueshme është miratimi i një reformë gjithëpërfshirëse, në të cilën të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR mbi tre zgjedhjet e fundit. Ne këtë nuk e kërkojmë vetëm nga Partia Demokratike, por nga te gjitha palët e përfshira në proces, pasi ky është një ndryshim i domosdoshëm që prek edhe procesin tonë integrues. Më lejoni t’iu kujtoj se “Reforma” është një kusht për çeljen e negociatave, prandaj ne kërkojmë që ajo të trajtohet me seriozitetin më të madh.
Çfarë doni te ndryshoni ne kodin elektoral konkretisht?
Ndryshimet që ne kërkojnë janë të shumta, megjithatë, thembra e Akilit e kodit të miratuar në vitin 2008, janë listat e mbyllura. Pra, sikurse kam thënë përherë, deputetët nuk zgjidhen por emërohen. Kjo ka sjell pasoja të tmerrshme për parlamentarizmin dhe jetën politike të vendit. Dy pika të tjera të rëndësishme janë depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe futja e teknologjisë, si për shembull numërimi elektronik. Për sa i përket sistemit, nëse mazhoritar, proporcional apo një kombinim midis të dyve, kjo duhet të jetë pjesë e një diskutimi të gjerë, dhe nuk mund të jetë një kërkesë ultimative e palëve.
Çfare premtimi ju ka bërë Basha?
Basha na ka garantuar se do të angazhohej në përmirësimin e situatës aktuale, madje nëse mbani mend një nga aktet e para në fillim të kësaj legjislatura ka qenë edhe fokusimi i PD-së tek reforma zgjedhore. Sigurisht politika jonë ka prodhuar mjaft skandale që e kanë polarizuar debatin midis palëve, megjithatë kjo nuk është arsye për të mos qenë strategjik në zhvillimin e proceseve të rëndësishme, sikurse është reforma zgjedhore.
Çfarë ju ka thënë ai tani që ju ka shtyrë drejt këtij qendrimi?
Nuk kam komunikuar me z. Basha; megjithatë, mbarimi i afateve të parashikuara nga ligji për miratimin e Reformës, veprimet dhe mosveprimet në këtë drejtim, na detyruan të rishikojmë qëndrimet tona në mënyrë konsekuente me sa kemi deklaruar ndër vite mbi këtë temë.
Është thënë shumë herë se do e bëni polin e tretë por deri më tani nuk eshte bere. Pse duhet t’ju besojnë votuesit tuaj se këtë herë do ndodhë?
Sikurse kam thash edhe më sipër, ne jemi përpjekur përherë të krijojmë aleanca të bazuara mbi interesin e përbashkët të partive alternative. Takimi që zhvilluam ditën e premte kishte si qëllim bashkimin në emër të 400 mijë votave që partitë jo parlamentare kanë fituar në zgjedhjet e 2015. Sipas nesh, nëse organizohemi, pavarësisht emërtimit të grupimit, ne do të mund të ushtrojmë trysninë e nevojshme për të realizuar ato ndryshime që kërkojmë. Nuk di nëse votuesit do të na besojnë apo jo; por, me këtë sistem, ajo që ka rëndësi nuk është besimi që kanë njerëzit ndaj nesh, por kush numëron votat tona. Ata e ndajnë fatin tonë, jo qytetarët.
A ka pasur një bisedë midis jush dhe kreut të opozitës Basha, për një kandidim të mundshëm në Durrës?
Prej vitit 2015 kjo nuk është më një temë bisedimi me askënd, pasi e kam deklaruar prej kohësh që nuk do të kandidojë për Durrësin.
Ju keni qënë një nga aleatët që ndër vite keni treguar një lloj qendrese ndaj Bashës. A egziston sot një krisje midis jush?
Të qenurit qëndrestar është pjesë e kulturës sime, pasi angazhimet e marra janë të shenjta për mua. Vizioni që kam për politikën, dhe për zotimet e bëra në përgjithësi, zakonisht nuk është puqur me dinamikat politike në të cilat jam gjendur; për këtë arsye ne si PAA kemi marrë një kosto të lartë në zgjedhjet e shkuara. Në bazë të kësaj eksperience, dhe duke parë që pala tjetër nuk ka të njëjtën qasje ndaj zotimeve të marra, do të thotë se është koha që secili të mendojë për shtëpinë e tij politike. Nuk di nëse kjo quhet krisje apo jo, por sigurisht nuk është një “Muaj mjalti”…
Nese as Basha nuk pranon kushtet dhe as ju nuk e bëni polin e trete a është ky fundi i partive te vogla politike në Shqipëri?
Marrëveshja e vitit 2008, e cila prodhoi këtë kod përçudnues të jetës politike, kishte për qëllim pikërisht ndëshkimin e partive alternative. Megjithatë, sikurse nuk ia dolën dot atëherë, nuk do t’ia dalin dot as sot. Këto parti nuk ekzistojnë për vullnet të krerëve të tyre, por janë përfaqësuese të atyre shtresave të shoqërisë që nuk pajtohen me vizionin e dy partive të mëdha. Madje, me ndërtimin e këtij sistemi zgjedhor që po prodhon diktaturën e liderit të partisë dhe arrogancën e kryeministrit, dëshmuan se politika shqiptare është ende e papjekur për një sistem dypartiak. Prandaj ne do të veprojmë jo vetëm për mbijetesën e partive alternative, por edhe për të sjellë një ekuilibër të domosdoshëm në politikën shqiptare.
Përgatiti: AlpeNews.al