Mazhoranca miraton dekretet e Presidentit të Republikës për shkarkimin e ministrave të propozuar nga Kryeministri dhe marjen e detyrës nga të rinjtë që do të zënë vendin e tyre. Opozita dhe mazhoranca janë përplasur sërish në Kuvend.
Teksa pritej që seanca plenare të shqyrtonte dekretet e Presidentit Ilir Meta për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj, deputetët e Partisë Demokratike janë mbledhur në foltore duke penguar punimet.
Opozita ka kërkuar kohë për të diskutuar për këto dekrete, ndërsa maxhoranca ka deklaruar se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk e përcakton Kushtetuta, duke kërkuar respektimin e rendit të ditës.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr nga Kryeministri Rama dhe u miratua në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Sipas vendimit të marrë nga Konferenca, parashikohet që sot të mblidhet Kuvendi ku do të zyrtarizohen edhe ndryshimet në qeveri, të cilat që prej datës 28 dhjetor janë pezull.
Konkretisht, u bë shkarkimi i Arben Ahmetajt si ministër i Financave, i cili do të zëvendësohet nga Anila Denaj; Damian Gjiknuri si ministër i Infrastrukturës, i cili do të zëvendësohet nga Belinda Balluku; Mirela Kumbaro si ministre e Kulturës, e cila do të zëvendësohet nga Elva Margariti; Lindita Nikolla si ministre e Arsimit, e cila do të zëvendësohet nga Besa Shahini; Sonila Qato si ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila do të zëvendësohet nga Eduard Shalsi; Niko Peleshi si ministër i Bujqësisë, i cili do të zëvendësohet nga Bledi Çuçi; dhe Senida Mesi si zëvendëskryeministre, e cila do të zëvendësohet nga Erion Braçe.
I vetmi ndryshim që nuk u botua ishte shkarkimi i ministrit Bushati, detyrë që pritet ta marrë vetë Kryeministri Rama. Ky votim nuk do të zhvillohet, pasi nuk ka ende një qëndrim të Presidentit për këtë çështje.
Ndryshimet
Iiken Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj
Iken Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku
Iken Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti
Iken Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini
Iken Sonila Qato, vjen Eduard Shalsi
Iken Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi
Iken Senida Mesi, vjen Erion Braçe


