Një shqiptar është arrestuar nga autoritetet e Livornos për trafikim dhe posedim droge, pas një denoncimi të bërë në një aplikacion të policisë italiane.
Mediat e vendit fqinj bëjnë me dije se shqiptarit me iniciale L.O, 35 vjeç, i është sekuestruar në garazh një sasi prej 830 kg drogë, 564 kg marijuanë e 266 kg hashash, si dhe një pistoletë lodër. Kjo e fundit ishte pikërisht ajo e cila çoi policinë italiane në gjurmët e drogës.
Arrestimi i 35-vjeçarit erdhi nga një operacion i ndërmarrë pas një sinjalizimi në “YouPol”, aplikacion i policisë italiane, ku qytetarët mund të sinjalizojnë për një krim. Në denoncimin e arritur në aplikacionin në fjalë, thuhej se një shtetas i huaj në zonën “Montebello” lëvizte me një makinë gri.
I dyshuari është pikasur nga autoritetet italiane në bordin e automjetit teksa po bëhej gati për të hyrë në garazhin e tij në rrugën “Ebat”. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinë, atij iu gjend pistoleta, që çoi më pas efektivët e policisë edhe në ushtrimin e kontrollit në garazh.





