Policia e Lezhës ka sekuestruar celularin e Aleksandër Ndokës, këshilltarit bashkiak të ekzekutuar në Lezhë, trupi i të cilit u gjet sot në mëngjes nga Policia.
Sekuestrimi ka ardhur në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen për zbulimin e autorëve, hetim i vështirë pasi viktima nuk rezultonte me konflikte apo me precedentë penalë. Ndoka dyshohet se është vrarë me armë me një automatik kallashnikov. Në një distancë prej dy metrash, autorët që mendohet të jenë dy, kanë shtënë drejt tij me 14 plumba. Kaq është edhe numri i gëzhojave që ka gjetur Policia në vendin e ngjarjes, pranë banesës.
Aleksandër Ndoka, 48 vjeç, është vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndokës; këtij të fundit iu hoq mandati për shkak të ligjit të dekriminalizimit, faktit se kishte qënë i dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore.
Policia është duke hetuar në disa pista, përfshirë edhe konfliket e të birit të viktimës, 19-vjeçarit me precedentë penalë.


