Ka nisur hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për gjyqtarin e Fierit Roland Hysi i cili i kërkonte favore seksuale një nëne që luftonte për kujdestarinë e fëmijës së saj.
U desh denoncimi i nënës e cila u përball me kërkesën e gjyqtarit për raport seksual dhe para, vetëm për të siguruar kujdestarinë e fëmijës së saj, që ndaj këtij gjyqtari jo pak të njohur në Fier, të niste hetimi.
Gruaja denoncuese tregoi për emisionin ‘Stop’ gjithë kalvarin që i është dashur të përballojë, duke blerë me euro fëmijën e saj. Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkoi seks si dhe 500 euro për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Në kamerën e fshehtë publikuar nga emisioni investigativ përfshihet edhe psikologia Elona Meçani, që bën edhe rolin e sekseres dhe që gjithashtu merr “pjesën e vet” prej 500 eurosh.
PO KUSH ËSHTË ROLAND HYSI?
Hysi është gjyqtari i Urdhërave te Mbrojtjes i cili, sipas dëshmive të grave viktima, rregullisht i propozonte këto të fundit, nga telefoni, shkruan newsbomb.al.
Madje, më datë 8 mars 2018, disa gra dolën në protestë në qendër të Fierit, kundër gjyqtarit. Një nga rastet flagrante është ai i Rajmonda Koçit e cila kërkonte që gjykata t’i njihte atësinë ish partnerit të saj, dhe pavarësisht se testi i ADN-së vërtetoi atësinë, gjykatësi Roland Hysa vendosi në favor të ish partnerit i cili nga ana e tij nuk dëshironte atësinë e fëmijës. Për fat të mirë, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e Hysit dhe njohu atësinë.
Gjyqtari Hysi është nga Tirana dhe e bënte çdo ditë rrugën vajtje-ardhje në Fier, bashkë me psikologen Elona Meçani, e përfshirë në video skandal. Roland Hysi njihet për flirtet e tij brenda sallës së gjyqit me gratë viktima.
“Duhet të kesh ndonjë gjë të veçantë ti që s’të ndahen burrat”, i tha Hysi në sallën e gjyqit një prej grave viktimave e cila kërkonte urdhër mbrojtje.
Hysi, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, mbahet mend gjithashtu si gjyqtari të cilit i duheshin vetëm 4 minuta për të dhënë vendime tepër delikate të nënave të divorcuara të cilat kërkonin urdhër mbrojtje nga ish parnterët e tyre apo luftonin për kujdestarinë e fëmijëve.


