Një grindje në familje ka përfunduar me një të plagosur. Report Tv mëson se pas sherrit babai ka qëlluar me thikë djalin, i cili është transportuar në spital i plagosur.
65 vjeçari Ylli Sulejmani ka qenë i dehur, ndërsa është arrestuar në flagrancë nga policia, që ka ndërhyrë me shpejtësi pas lajmërimit nga familjarët.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 minuta të mbrëmjes së sotme në lagjen nr.5 të qytetit, ndërsa i plagosuri Renato Sulejmani, 36 vjeç raportohet se është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Korçës.
Pavarësisht ndërrimit të viteve në vend vijojnë krimet në familje. Në ditën e dytë të vitit të ri një krim në familje tronditi Ballshin, pasi burri vrau gruan dhe kunatën.
Njoftimi i policisë
Korçë
Informacion paraprak.
Më datë 07.01.2019, në lagjen nr 5 në Korçë, në banesë, shtetasi I.S, rreth 65 vjeç, pas një konflikti të çastit, dyshohet se ka plagosur me thikë djalin e tij shtetasin R.S, 36 vjeç, i cili po merr mjekim në Spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi I.S, ndodhet i shoqëruar në Komisariat, ku po kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


