Pasi e fjetëm mendjen që burrat na i kaluan aty ku ne e dinim veten specialiste, në kuzhinë, tani duhet t’iu lirojmë edhe pasqyrën e t’u lëmë në dorë buzëkuqin. Ja që përveçse chefat më të mirë të kuzhinës janë burrat, edhe grimierët e parukierët më të mirë qenkan po ata. Dhe zonjat ua dorëzojnë hiret me shumë dëshirë, të bindura se në fund do ngelen të kënaqura e sidomos të bukura.Vetëm një sy hodhëm këtej nga showbizi dhe pamë se vajzat e njohura u besojnë grimierëve pasaportën e tyre të famës, portretin.

E fundit që na tregoi se e zbukuron një burrë ishte Marina Vjollca, e cila me të postuar në rrjet fotot e saj të para me fustan të bardhë, hodhi në treg edhe dy burrat që e bënë nuse: Armend Gashi parukieri dhe Arbër Bytyqi, grimieri. Ky i fundit është dora që Marina i beson imazhin edhe në çdo puntatë të “C’est la vie”. Por nuk është e vetmja. Këngëtaret më të njohura shqiptare dhe kosovare e kanë studion e Arbrit në Prishtinë stacion të përhershëm. Jo vetëm vajzat nga kosova si Leonora Jakupi, Tuna, Adalina Tahiri, Yllka Kuqi, Nora dhe Era Istrefi por edhe gocat shqiptare bëjnë gjithë atë rrugë për t’u zbukuruar nga duart e Arbrit. Arilena Ara, Samanta Karavella, Enca, Soni Malaj, Xhensila Myrtezaj, Era Istrefi. Ia vlen pak mundim për t’u bërë e bukur.
Po në Kosovë është edhe i preferuari tjetër i vajzave, kësaj here stilist flokësh, sepse specialitetet janë të ndara. Dhe Kaci Lleshi merret vetëm me flokët e vajzave të njohura. Që nga lyerja, prerja, krehja e stilimi. Dhe aq e gjatë sa është lista, do të thotë se Kaci është një nga më të mirët. Flokët te Kaçi Lleshi.
Ndërkohë që në Tiranë, dy bjondinat Eni Çobani dhe Viola Spiro dhe brunia e përjetshme Grida Duma, prej kohësh ulen në sallonin e make up artistit Olti Shulla sa herë që duhet të dalin në ekran apo kanë një aktivitet të rëndësishëm.
Që vajzat u besojnë pa kushte duarve të meshkujve, e tregoi ardhja në Tiranë e Ariel, një nga grimierët më të njohur, që trukon emra të famshëm të showbizit botëror. Për të parë teknikat e tij të grimit u mblodhën qindra vajza, ndërkohë që Anxhelina dhe Beatrix Ramosaj kanë fatin të zbukurohen përherë prej duarve të tij.
Por mos mendoni se kjo është një tendencë e re. Nuk janë vetëm djemtë e gjeneratës së re ata që kanë zgjedhur të ushtrojnë një profesion që pëlqehet më shumë nga gratë. Dy grimierët më të vjetër Edmond Lako dhe Dashamir Turku, trukojnë gjithë personazhet televizivë, artistë, gazetarë e politikanë bashkë, nga Tvsh-ja, në Klan e Top Channel. Madje, gjithë personazhet e Portokallisë marrin formë nga duart e Edmond Lakos, që punon ekskluzivisht vetëm për këtë program në Top.

























