Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali ka bërë një mesazh me rastin e 8 Dhjetorit, ditën e rinisë.
Përmes një postimi në facebook Spiropali thotë se sot jemi në një moment të mirë në raport me të ardhmen tonë europiane. Me tej ajo nuk ka lënë pa thumbuar dhe opozitën duke thënë se … “Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjesimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë.”
Postimi i plotë i Spiropalit
Në dhjetor 1990 studentët kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa, pra kthimin e Shqipërisë në sofrën e familjes së saj natyrale. Ajo thirrje e brendshme e ulëritur së jashtmi ishte më e fortë se çdo konferencë, çdo kongres, anti-miting, parakalim. Ishte, mes tjerash, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e thellë e të qënurit një nga vatrat më të hershme të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë dhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.
Sot jemi në një moment të mirë në raport me të ardhmen tonë europiane. Institucionet e Bashkimit Europian edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, janë të gatshme të na afrojnë në vatrën e përbashkët. Shqiptarët duhet të bashkohen për realizimin e kësaj aspirate madhore.
Duhet t’i flasim Europës dhe botës të gjithë me të njëjtën gjuhë. Në Parlamentin tonë kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjesimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë.
Gëzuar 8 Dhjetorin ! Rroftë Shqipëria !


