Erjon Benga, 23-vjeçari që u plagos gjatë atentatit ku mbeti e vrarë Griselda Gjikola, ka dhënë dëshminë e tij për oficerët e Policisë Gjyqësore, në ambientet e Spitalit të Traumës.
Ai ka mohuar të ketë pasur lidhje dashurie me viktimën, duke thënë se e kishte njohur përmes një shoqes së tij dhe ishin ulur për të pirë kafe.
Nga ana tjetër ka thënë se nuk ka parë se kush e ka qëlluar, pasi përveç errësirës në atë zonë, është gjendur në befasi, duke qenë se nuk e priste një sulm të tillë, për më tepër që i ka ardhur nga pas.
I pyetur nëse e njeh personin e dyshuar, të shpallur në kërkim për ngjarjen, ai ka deklaruar se në dy raste ka pasur konflikte me të, por pa dhënë detaje për motivet e sherrit.
Autori
Një 19-vjeçar nga Tropoja e banues në Tiranë dyshohet të jetë autori i atentatit ku mbeti e vrarë adoleshentja Griselda Gjikola e u plagos Erjon Benga, në Laprakë. Burime nga Policia thanë se është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Robert P., ndërsa personi që e ka ndihmuar gjatë dhe pas ngjarjes është arrestuar.

Robert P.
Forcat e Policisë së kryeqytetit kanë ushtruar kontroll në disa banesa, të prindërve dhe të të afërmve të të dyshuarit, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është arritur të gjendet. Ndërsa, nisur nga deklarimet e dëshmitarëve dhe disa personave të njohur të 23-vjeçarit të plagosur, Benga, i dyshuari ishte konfliktuar me këtë të fundit, për shkak të 17-vjeçares Gjikolaj, të cilën e pëlqenin të dy.
Madje, në momentin që autori i dyshuar ka mësuar se vajza që ai pëlqente ishte lidhur me Erjon Bengën, ishte konfliktuar edhe fizikisht me të disa ditë më parë. Nga ndërtimi i skenës së krimit, nisur nga deklarimet e dëshmitarëve dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, Policia dyshon se 19-vjeçari Robert P. e ka pritur çiftin sa të dilte nga lokali ku po pinin kafe, pak metra larg vendit ku ata kishin parkuar makinën.
Në momentin që i ka parë duke u futur në makinën tip “Mercedez Benz”, me targa AA 266 MS, ai është afruar duke qëlluar të paktën 4 herë me armë zjarri. Autori ka qëlluar nga xhami i pasmë i makinës në krahun e shoferit, ku ndodhej i plagosuri, por plumbat kanë goditur edhe 17-vjeçaren që ndodhej në sediljen e parë.



