Griselda Gjikola, vajza që mbeti e vrarë mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, prej disa kohësh jetonte vetëm me të vëllain 15-vjeçar, në një banesë me qira pranë Spitalit të Traumës në Laprakë.
Ndonëse në një moshë të mitur, ajo kishte preferuar të vazhdonte shkollën e mesme në kryeqytet, pas problemeve të vazhdueshme familjare që çuan në divorc prindërit e saj. Adoleshentja vazhdonte studimet në gjimnazin “Aleks Buda” në Laprakë, pranë zonës ku banonte.
Të afërm e persona që e njohin, treguan se e ëma e Griseldës ishte larguar drejt Italisë, ku vazhdonte të jetonte. Ndërsa i ati kishte qëndruar në fshatin Kurbnesh në Mirditës, atje ku viktima kishte jetuar më parë.
Drama familjare, problemet sociale, por edhe jetesa vetëm në një moshë fare të vogël, pa pasur afër të paktën nënën, duket se kishin ndikuar mjaftueshëm te 17- vjeçarja, që kishte preferuar të shkëputej nga jeta në fshat e të zhvendosej në Tiranë. Ajo duket se kishte një lidhje mjaft të fortë me të vëllain, i cili nuk nguronte të shprehte hapur edhe në rrjetet sociale marrëdhënien e ngushtë me të motrën dhe herë pas here postonte fotografi me të.
MESAZHET
Vëllai 15-vjeçar i Griseldës, që u vra të mërkurën në Tiranë, i ka dedikuar asaj një mesazh mjaft të ndjerë në profilin e tij në “Instagram”. Sipër një fotoje ku kanë dalë bashkë, vëllai i adoleshentes shkruan se sa do i mungojë dhe sa do e vuajë mungesën e saj. “Nuk prisja që të kisha një humbje tjetër aq të thellë. Mendova se do kalonim një jetë plot gëzime dhe tani më le vetëm disa kujtime që më marrin frymën dalëngadalë. Ishe botë më vete për mua dhe do më mbetesh plagë në zemër përjetë. U prehsh në paqe dashuria ime, motra ime. Të dua pafundësisht”, shkruan vëllai i 17-vjeçares në “Instagram”. Ndërsa shumë miq e të afërm e kanë ngushëlluar 15-vjeçarin, duke i kërkuar të mbahet i fortë pas kësaj humbjeje kaq të madhe.
VARRIMI
Paraditen e djeshme, babai i 17-vjeçares ka mbërritur në Tiranë, ku ka tërhequr nga morgu trupin e së bijës. Burime pranë familjes Gjikola thanë se edhe e ëma e viktimës është nisur nga Italia për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, që do të zhvillohet në fshatin Kurbnesh të Mirditës.


