Marrëveshja për armët bërthamore ka rritur tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Duke folur në konferencën vjetore për mediat në Moskë, presidenti Vladimir Putin foli sërish për rrezikun nga lufta bërthamore. Madje ai kritikoi Shtetet e Bashkuara për braktisjen e marrëveshjeve që ndalojnë përhapjen e këtyre armatimeve. Gjithsesi kreu i Kremlinit u shpreh se beson te arsyeja. Kjo është hera e dytë brenda disa muajve që presidenti Putin flet publikisht për mundësinë e një katastrofe bërthamore.
Putin: Çdo do të ndodhë pas daljes së ShBA-së nga Traktati. Është e vështirë të mendohet se si do të zhvillohen ngjarjet prej aty. Nëse këto raketa do të shfaqen në Europë, çfarë do të bëjmë ne? Sigurisht ne duhet të kujdesemi për sigurinë tonë. Të mos thonë më pas se po përpiqemi të arrijmë ndonjë avantazh. Ne nuk po synojmë ndonjë avantazh, ne synojmë të ruajmë ekuilibrin dhe të garantojmë sigurinë tonë.
Sipas kreut të Kremlinit, tërheqja e ShBA-së nga Traktati i Raketave Anti-Balistike në vitin 2002 e ka minuar “ekuilibrit strategjik” midis Moskës dhe Uashingtonit, ndërsa tërheqja e ShBA-së edhe nga “Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme” është “një tjetër hap” në këtë drejtim.
Putini gjithashtu dënoi mos fillimin e bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi marrëveshjen “Fillimi i Ri”, një traktat i armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi, që skadon në vitin 2021, por që afati i atij mund të zgjatet edhe për pesë vjet nëse të dy vendet bien dakord.


