Pasi u ka bërë apel të fortë institucioneve të reagojnë lidhur me kërkesat e studentëve, që tashmë prej 9 ditësh janë në protestë masive për plotësimin e 8 pikave adresuara ministrisë dhe kryeministrit, Presidenti Meta del me një vendim të rëndësishëm.
Mësohet se motivacioni që ka detyruar Metën të bëjë këtë lëvizje është për t’i dhënë një mundësi plotësimit të kërkesave që kanë studentët e që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.
Reagimi i Metës vjen vetëm pak pasi sot nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi se “nuk i bëjmë dot ndryshmet se ligji është për dekret ne Presidencë”.
DEKLARATA E METES
Presidenti i Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.
Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.


