Nëse ka një model, një katalog, një pasqyrë apo një shembull ideal për të shpjeguar nesër e në vijim, sesi mundet që një kauzë reale, të zhbëhet në sy të të gjithë shqiptarëve, padyshim që atë do ta gjeni tek protesta e studentëve që ka hyrë në javën e dytë të saj.
Një protestë që nisi nga “revolta spontane” për shkak të disa tarifave në një fakultet, për të sensibilizuar brenda pak minutash një universitet, brenda pak orësh një qytet dhe brenda pak ditësh një popull, një qeveri dhe një shtet.
Ajo nisi si një e vetme, për katër kërkesa. Të cilat pas disa ditësh do të bëheshin tetë. E për tu zgjatur e shtuar çdo ditë, me nga një listë të re, e me ca më shumë kërkesa të vjetra nëpër ekrane, rrjetet sociale e studio debati gjithfarësh e nga gjithëkush.
Më pas u kërkua heqja e një pike në një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM-je). Për të vijuar me një kërkesë për ta patur ministren e Arsimit përballë. Por më pas u tha; jo në sallë, jo në zyrë, jo në ministri. Por në shesh. E kur ajo doli në meidan, u kuptua se mes tyre kishte hyrë, pa e kuptuar as ata vetë, virusi i partive politike, nëpërmjet forumeve të tyre rinore.
Ndaj u kërkua që të vinte edhe një herë, pak më vonë. Sepse ministrja i kishte kapur pa mendje, të pa përgatitur, pa uluritur, duke i provokuar, uzurpuar, torturuar, ndaj pasi ranë telefonat dhe u çanë mesazhet, u ulën në shesh dhe u kuptua që më në fund interesat fillestare, ishin bërë përshesh.
Pak më vonë, nga një u bënë dy e të nesërmen tre artoporlantë, tre foltore, tre vokacione, tre emocione, dhjetra kërkesa dhe qindra peticione. Por gjithmonë e më pak ovacione.
E ndërsa plaga e protestës maisej, erdhi ultimatumi shumë serioz, që e prisnin qeverinë deri të martën në orën 16.00. Asnjë minutë më shumë! Kaq u desh dhe qelbi shpërtheu e doli më në fund në shesh. Duke marë rrugën në dy rrëkeza të reja të dy partive, me dy palë flamuj e me të njëjtën ëndërr e qëllim, që skishte më asnjë lidhje me atë që studentët vërtetë në hall, dolën ditën e parë në shesh.
Njëra u nis drejt “Zogut të Zi”, e tjetra drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Njëri për të bllokuar kulaçin e hyrjes në qytet, e tjetra për tu ulur përballë zyrës së kryeministrit, me dëshirën se ishalla ishte rezervuar diku ndonjë kërbaç, sa për sebep.
Halli i vetëm, ishte barsur në atë shesh përballë ministrisë së Arsimit, e kishte sjellë në dritë atë që u munduan prej shtatë ditësh ta fshihnin, prapa maskës së protestës së vërtetë. Hallin e përjetshëm të kësaj opozite, të dy partive të saj dhe të kujtdo opozitari tjetër në këtë botë: Ardhjen një minutë e më parë në pushtet. Mundësisht këtë radhë, përpara se të krijohen institucionet e reja, të drejtësisë së re.
Ditën e tetë, nga tre protestat u bënë dy në Tiranë dhe ca të tjera me sebepe që skanë asnjë lidhje me hallin e vërtetë të studentëve, për kauzën reale të ndryshimit të universiteteve. Por, as me hallin e qytetarëve, që e mbështetën me zemër atë protestën “bio” të studentëve, në fillim.
Të enjten si gjithmonë, studentët në hall do vazhdojnë të rrijnë poshtë zyrës së Lindita Nikollës. Ndërsa halli i opozitës në formën e protestës së vjedhur dhe kuazës së zhbërë, do të përfundojë përballë godinës së Parlamentit. Ashtu si edhe çdo të enjte tjetër kur të zgjedhurit e popullit, mblidhet me sallën gjysëm bosh, për seancën plenare të radhës.
E pasi erdhën deri këtu, tani nuk ka më nevojë që ta përshkruajmë se çfarë do të ndodhë. Sepse është seria e radhës së një telenovele me skenar të lodhur opozitar, të cilën shqiptarët e shohin prej kaq kohësh.
E panë ditën që u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.
E panë ditën kur ua vodhën kauzën banorëve të Kukësit për pagesën në Rrugën e Kombit.
E panë ditën kur ua vodhën kauzën banorëve të Unazës së Re e i prenë gishtat me kapsolle polices Ina Nuka.
Do ta shohin edhe këtë të enjte dhe çdo të enjte tjetër, pasi ti vjedhin kauzën e radhës, protestës së qytetarëve, studentëve dhe grupeve të interesit, për hallin e tyre të radhës.