Në jetën e tij kishte një mungesë që nuk mund ta mbushnin as futbolli dhe as politika; ishte njëzet e tre vjeç dhe beqar! Kur në vitin 1977, në një mbledhje të organizuar nga partia hasi në një palë sy të drojtur që e ndiqnin me admirim, kuptoi se mungesa brenda tij nuk do të vazhdonte për shumë kohë. Po të kemi parasysh se ndjesinë e tij në atë moment e shpreh me fjalët: “Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar deri atëherë”, mund të themi se ndoshta ishte hera e parë që binte në dashuri.
Pak kush mund ta mendojë por presidenti turk Recep Tajjip Erdogan kur ishte adoleshent mendonte se do bëhej futbollist. Pasioni për futbollin që i pat nisur që në fillore, vazhdoi duke u rritur gjatë viteve të gjimnazit dhe talenti i tij për këtë sport u zhvillua më tej.
Tajjip Erdogani i cili në atë kohë tërhiqte vëmendjen me shkathtësinë e tij në fushë, pranoi një propozim që iu bë dhe për një mijë lira u transferua në klubin e sportit Xhamialltë. Të frymëzuar nga stili i tij i lojës që të kujtonte Bekenbauerin e famshëm, i ngjitën nofkën ‘Imam Bekenbauer’.
Në vitin 1975 transferohet në ekipin e IETT-së, Ndërmarrjes së Transportit Urban të Stambollit. Tashmë e fitonte jetën duke luajtur futboll. I ati mendonte se marrëdhënia e të birit me futbollin ishte një pasion kalimtar dhe dukej indiferent ndaj ecurisë së tij profesionale. Kur pa kaluar shumë mori vesh propozimin që iu bë për t’u transferuar në Eskishehirspor, i hipën kacabunjtë. Duke i thënë “Unë dua që ti të studiosh e të bëhesh njeri kurse ti merresh me punë të kota,” nuk e lejon ta pranojë propozimin.
Vite më vonë Tajjip Erdogani do t’i pohonte një gazetari: “Për shkak të tim eti kam humbur shumë raste si ky.”Një nga rastet që me peng në zemër i quan “të humbura”, ndoshta më i rëndësishmi, ishte propozimi për t’u transferuar në klubin e Fenerbahçes.
/AlpeNews.al/