Kryeministri Edi Rama u shpreh përgjatë prezantimit të flotës së re të Policisë së Shtetit se kthesa që është bërë në këtë të fundit mund të konsiderohet pa frikë dramatike dhe njëkohësisht historike.
Rama e nisi fjalimin e tij duke kujtuar një raportim të 2010-s, ku trajtohej ngelja në rrugë e pesë makinave të sapoblera të shtetit. “Ky është një episod spektakolar, që ngriti në pah një vijimësi të mbrapshtë të procedurave dhe proceseve të ndjekura. Policia e Shtetit u bë objekt komedish dhe përqeshjes shumë shpesh, për shkak të keqpajisjes qoftë në mjete dhe qoftë në uniforma.” Rama u shpreh më tej se ka qenë pikërisht ish-kryeministri Sali Berisha i cili përqeshte gjendjen e rënduar të Policisë së Shtetit. “M’u kujtua po ashtu se shumë pak muaj pasi u vendosëm në detyrë, ish-kryeministri i tanishëm përqeshte Policinë e Shtetit, duke ekspozuar në makinën e tij dixhitale rastin sesi 5 të burgosur që po udhëtonin drejt burgut të Shkodrës u transportuan në një automjet, për shkak se ai i pari kishte hasur probleme.”
Kryeministri përmendi edhe protestën e para dy ditëve përpara Kuvendit, ku mbeti e lënduar efektivja e policisë Ina Muka. Rama e konsideroi këtë të fundit se u bë viktimë në sajë të propagandës politike të Partisë Demokratike.
“Ata thanë se humbi gishtat sepse nuk ishte e trajnuar. U tha nga ata që ndikuan tek nxitja e dhunës dhe goditjes së Ina Mukës me lëndë plasëse. E kundërta është e vërtetë. Ajo dhe gjenerata e saj jo vetëm që janë të trajnuar fizikisht”, vijoi më tej Rama, duke e paralelizuar me gjendjen e dikurshme të Policisë së Shtetit, ku, sipas tij, 1/4 ka qenë pa arsimin përkatës.


